Kuvendi i Komunës së Prizrenit gjatë kësaj jave do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar propozim-vendimin për dhënien e titullit "Nderi i qytetit" për ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq.
Anëtarët e KK-së janë ftuar që të enjten, me 19 maj, të vendosin për këtë çështje. Ftesa për mbajtjen e kësaj seance është dërguar nga kryesuesja, Antigona Bytyqi bazuar në kërkesën e kryetarit, Shaqir Totaj.
"Duke pasur parasysh kontributin e madh të dhënë për Kosovën, në periudha të ndryshme, si para lufte po ashtu edhe pas luftës, e veçanërisht si mbështetës i madh i Pavarësisë së Kosovës, të z.Stipe Mesiq, ish President i Republikës së Kroacisë, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për mbështetjen e tij, propozoj të thirret seancë e jashtëzakonshme me datë 19 maj, me fillim në ora 10:00 me këtë rend dite: Dhënia e titullit "Nderi i qytetit" për Stipe Mesiq, ish President i Republikës së Kroacisë", thuhet në kërkesën e Totajt dërguar në adresë të kryesueses.
Stipe Mesiq në vitin 2000 ishte zgjedhur President i Kroacisë dhe në këtë funksion ishte rizgjedhur edhe në vitin 2005. Ai njihet si përkrahës i pavarësisë së Kosovës si dhe shtetndërtimit të saj.