Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka vendosur që ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, ta shpallë “Qytetar Nderi”. Në seancën e jashtëzakonshme, të mbajtur të enjten, të gjitha grupet e këshilltarëve kanë shprehur mirënjohje për angazhimin politik të Mesiqit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të enjten, njëzëri kanë votuar që ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, të shpallet “Qytetar Nderi” i Prizrenit. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të këtij organi, të gjitha grupet e këshilltarëve kanë vlerësuar kontributin e politikanit kroat për pavarësimin e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se propozimi për ndarjen e këtij titulli ka ardhur nga shefi i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Karanfil Haxhillari. Njëherësh, Mesiqin e ka përshkruar si përkrahës të fuqishëm të Kosovës.
“Ka qenë një përkrahës i fuqishëm i çështjes sonë kombëtare, në të gjitha fazat e historisë më të re të Kosovës. Prandaj për ne është kënaqësi së pari që ai ka pranuar që ne ta shpallim “Qytetar Nderi”, kurse është njëkohësisht privilegj që po mundemi të bëjmë një veprim të tillë dhe të japim një shembull të mirë, një sinjal të mirë të një kujdesi ndaj një personi, i cili ka dhënë një kontribut serioz për çështjen tonë kombëtare në historinë më të re të Kosovës”, ka thënë Totaj.
Edhe shefat e grupeve të këshilltarëve, Mesiqin e kanë cilësuar si mik dhe mbështetës të Kosovës.
“Presidenti Mesiq u tregua gjatë gjithë kësaj kohe si mbështetës i paluhatur i Kosovës, i së drejtës së saj për pavarësi dhe liri. Ai në asnjë rast nuk hezitoi të shprehë se Kosova kishte të drejta të barabarta sikurse regjionet e tjera të ish-Jugosllavisë”, ka deklaruar Haxhillari.
Adrit Krasniqi i PDK-së ka theksuar se subjekti i tij përkrah ndarjen e këtij titulli, pasi Mesiq është një mik i madh i Kosovës.
“Një mik i cili ishte pranë nesh në kohërat më të vështira të popullit tonë, si gjatë, para dhe pas luftës. Një mik i cili ishte lobues i madh i pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar Krasniqi.
Ndërsa Haziz Hodaj i LDK-së ka shprehur mirënjohje edhe për iniciatorët e kësaj nisme, që, sipas tij, e nderon Prizrenin.
“Përkrahja e vazhdueshme e Stjepan Mesiqit edhe pas kësaj pozite të kryetarit të Jugosllavisë, pastaj edhe në nivele të tjera, sigurisht që na bën sot të ndihemi mirë që do të përkrahim...”, ka thënë Hodaj.
Titulli “Qytetar Nderi” ish-presidentit Stjepan Mesiq do t’i dorëzohet në një seancë solemne. Stjepan Mesiq në vitin 2000 ishte zgjedhur president i Kroacisë dhe në këtë funksion ishte rizgjedhur edhe në vitin 2005. Ai njihet si përkrahës i pavarësisë së Kosovës, si dhe shtetndërtimit të saj.