Arbëri

Totaj pas betimit zotohet për qeverisje të mirë dhe transparente

Kryetari i ri i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se nga dita e premte nis një kapitull i ri në këtë komunë, me qeverisje në përputhje me ligjin, me transparencë dhe në dialog me qytetarët. Sipas tij, Prizreni do të bëhet qytet ku jetohet e punohet me ndershmëri. Këto zotime, Totaj i ka shpalosur gjatë mbledhjes konstituive të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ku është betuar menjëherë pas anëtarëve të rinj të organit më të lartë vendimmarrës lokal.

Mbledhja konstituive e Kuvendit të Komunës së Prizrenit është udhëhequr nga anëtari më i moshuar, Hanefi Muharremi, në drejtimin e të cilit në mënyrë solemne janë betuar 37 nga 41 këshilltarët e KK-së. Pas tyre në foltore është paraqitur kryetari Totaj i cili është betuar “se do t’i kryej detyrat e mia dhe do t’i ushtroj kompetencat e mia si kryetar i Komunës së Prizrenit me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”.

Ndërkaq në fjalimin solemn të mbajtur para mysafirëve të shumtë në këtë seancë, Totaj ka premtuar qeverisje të mirë në shërbim të qytetarëve.

“Nga sot qeverisja e Prizrenit nënkupton sundim të ligjit, më shumë transparencë, llogaridhënie, dialog e komunikim të hapur me qytetarët në çdo lagje e fshat të Komunës së Prizrenit”, ka thënë Totaj.

Ai ka shtuar se të gjithë zyrtarët komunalë do të vihen në shërbim të komunitetit dhe përmirësimit të jetesës.

“Mbështetjen që kam marrë në zgjedhjet e fundit e shoh si besim për të shërbyer si i pari në mesin e të barabartëve, është përkrahje e një vizioni konkret e të prekshëm për jetë më të mirë për qytetarët tanë, për një Prizren me arsim cilësor, ekonomi të zhvilluar, përkrahje për të rinjtë e gratë, projekte infrastrukturore me kulturë, sport e turizëm të zhvilluar. Është besimi për një vizion që u shërben të gjithëve pa dallim. Të gjithë zyrtarët komunalë, duke filluar nga unë do të jenë në krye të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve dhe jo e kundërta. Si kryetar i Prizrenit jam i bindur dhe i vendosur që bashkë me qytetarët do ta bëjmë Prizrenin qytet ku do të jetohet e punohet me ndershmëri”, është shprehur Totaj.

Në të njëjtën kohë ka uruar kuvendarët e rinj për besimin e marrë nga qytetarët, duke theksuar se do të bashkëpunojë me ta për interesat e qytetarëve.

“Sot, zotohem para jush dhe qytetarëve të Prizrenit se do të jem shembull i angazhimit, i dashurisë për qytetin, dhe i punëve të mira dhe të mëdha që do ti realizojmë bashkë. Ju siguroj se do të punoj pareshtur për të jetësuar programin e vizionin tonë të përbashkët dhe të gjithë ato që i kam premtuar. Do të shërbej për të gjithë dhe përtej partive politike, do të jem kryetar që nuk i ndan qytetarët e komunës tonë në baza politike fetare e rajonale, por punon me të gjithë dhe për të gjithë”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka pranuar se nevojat e kërkesat e qytetarëve janë të shumta, por ka shtuar se sfidat i sheh si mundësi për të bërë punë të mira. Në këtë aspekt, ka premtuar qeverisje të mirë, tërheqje të investime të reja, menaxhim adekuat me resurset humane, si dhe përmirësime në të gjitha fushat që janë përgjegjësi e pushtetit lokal.

Kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në fillim të javës pati pranuar detyrën nga ish-kryetari, Mytaher Haskuka.