Zotimi i dhënë gjatë fushatës parazgjedhore nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, për nënshkrimin e 50 vendimeve gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është përmbushur. Por zyrtarët komunalë pohojnë se raporti i 100-ditëshit do të publikohet së shpejti dhe aty do të ofrohen përgjigjet për qëndrimet e opozitarëve.
Grupi i kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka vlerësuar se kryetari Shaqir Totaj në 100 ditët e para të qeverisjes nuk e ka nënshkruar asnjërin prej 50 vendimeve, për të cilat ishte zotuar publikisht në fushatën parazgjedhore. Sipas tyre, mungesa e vendimmarrjes gjatë kësaj periudhe është “dëshmi e mospunës së Ekzekutivit komunal”.
Por kabineti i kryetarit Totaj i ka kundërshtuar akuzat e opozitarëve, duke theksuar se pushtetin e ka trashëguar “në gjendje të mjerueshme”, shkaku i qeverisjes anemike të Vetëvendosjes në Prizren.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Karanfil Haxhillari, ka përkujtuar se Totaj më 10 nëntor të vitit 2021 kishte nënshkruar zotimin për 50 vendimet e para në 100- ditëshin e qeverisjes. Sipas tij, aktualisht në uebfaqen e Komunës nuk figuron asnjëri prej këtyre vendimeve.
“Nëse secili nga ju hyni në faqen e Komunës, te vendimet e kryetarit, nuk do ta shihni asnjërin nga këto vendime të publikuara në faqen e Komunës. Thjesht, zotimet e tij para jush kanë qenë gënjeshtra dhe mashtrim në fushatën zgjedhore. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi potencuar se do ta përkrahim çdo projekt që është në të mirën e qytetarëve dhe nuk do të jemi bllokues, por që për 100 ditë nuk ka filluar as edhe një”, ka thënë Haxhillari.
anën tjetër, zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka theksuar se raporti për punën e Ekzekutivit lokal në 100 ditët e para të qeverisjes do të publikohet së shpejti dhe se aty do të ofrohen përgjigjet lidhur me qëndrimet e fundit të opozitarëve. Sipas saj, angazhim madhor i qeverisë Totaj ka qenë gjetja e zgjidhjes për ujin e pijes.
“Ne e kemi marrë pushtetin në një gjendje të mjerueshme dhe pa buxhet, duke qenë se ata nuk e kanë votuar buxhetin, gjë që ka qenë obligimi i tyre, që gjatë vitit të kaluar të votohet buxheti. Buxheti nuk ka kaluar dhe ne fillimisht është dashtë me u marrë me çështjen kryesore të votimit të buxhetit, gjë e cila e ka prolonguar punën tonë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, është betuar më 10 dhjetor të vitit 2021, duke theksuar se në këtë komunë nis një kapitull i ri, me qeverisje në përputhje me ligjin, me transparencë dhe në dialog me qytetarët.