Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka mbajtur takimin e parë publik me qytetarët për të prezantuar punën 6-mujore të qeverisë lokale. Përderisa ai me bashkëpunëtorët kanë folur për të arriturat, qytetarët kanë kërkuar zgjidhje për problemet e ndryshme
Mungesa e parkingjeve, papastërtia e rrugëve, zvarritja e projekteve infrastrukturore, mosfurnizimi i rregullt me ujë të pijes në pjesë të caktuara të Komunës së Prizrenit dhe shqetësime të tjera janë adresuar të premten nga qytetarët në takimin e parë publik me kryetarin Shaqir Totaj. E, kryetari i Prizrenit, bashkë me drejtorët e ekzekutivit lokal kanë raportuar për punët e realizuara në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Pas raportimit të zyrtarëve të lartë komunalë, afaristja Fexhrie Kastrati ka kërkuar zgjidhje për çështjen e parkingjeve në rrugën “Edit Durham”.
“Më preokupon pak çështja e parkingut në rrugën ‘Edit Durham’. Është pak në gjendje kaotike. Edhe ka qenë, edhe është. Aty qytetarët i lënë makinat 2 muaj, 3 muaj, edhe qëndrim ditor tërë ditën. Edhe blerësit, edhe qytetarët që vijnë prej qyteteve të tjera kanë nevojë për parkingje”, ka thënë ajo.
Qytetari Enver Hoti, pasi ka shpalosur përvojën me papastërtinë në njërën prej rrugëve kryesore të qytetit, ka kërkuar veprime nga përgjegjësit.
“Dihet se ne pretendojmë të jemi qytet turistik. Kur qytetet tjera të shtunën e të dielën zbrazen, këtu mbushet. Duhet të kemi pak më shumë kujdes në pastrimin, sidomos ditëve të vikendit”, ka deklaruar ai.
Ndërsa këshilltarja opozitare, Dafina Alishani, ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë lidhur me afatet për përfundimin e projekteve infrastrukturore.
përmendët rrugën ‘Kosova’ dhe ‘Haxhi Zeka’. Ka muaj të tërë që po punohet aty, por ka ditë të tëra që nuk punohet ose punohet me pak punëtorë. A ka ndonjë mekanizëm kontrolli që po i mbikëqyrni këto projekte, për shkak që ka banorë aty që ankohen. Minimum ka 5 muaj që ka filluar ai projekt dhe nuk ka përfunduar”, është shprehur Alishani.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe bashkëpunëtorët e tij kanë theksuar se janë iniciuar studimet e fizibilitetit për nënkalimin e parkingun nëntokësor afër ndërtesës së Kuvendit, sikurse edhe për shtimin e kapaciteteve të ujit të pijes. Po kështu, kanë theksuar se kriza e çmimeve, si dhe bllokimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit që prej më shumë se një viti ka mbetur pa bord, kanë ndikuar në realizimin e projekteve të caktuara.
Por Totaj, tek ka prezantuar të arriturat, është zotuar për përmirësimin e efikasitetit të punës në muajt në vijim.
“Këtu po dua ta theksoj se ne ende nuk e kemi mbërri atë nivelin e performancës që e synojmë, që e dëshirojmë. Po i paraqes disa të arritura këtu, por gjithsesi ka hapësirë për përmirësim shumë, edhe ne me siguri në periudhën e ardhshme kohore do të kemi ngritje të mëtutjeshme të performancës sonë”, ka thënë Totaj.
Sipas dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Komuna është e obliguar që së paku dy herë në vit të mbajë takime publike me qytetarët, për të prezantuar aktivitetet e Komunës, ndërkaq pjesëmarrësit mund të shtrojnë pyetje dhe të japin propozime për zyrtarët komunalë.