Arbëri

Opozita dyshon në vërtetësinë e raportit të Totajt për 50 “punëtorët” e paautorizuar

Opozitarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hedhur dyshime mbi vërtetësinë e raportit 100-ditor të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, veçmas për pjesën ku përmendet gjetja e 50 mbi personave në dikastere të ndryshme pa kontrata e pa autorizime. Por drejtuesit e ekzekutivit të Prizrenit kanë theksuar se kjo gjetje është një fakt, me të cilin askush nuk mund të krenohet

Ekzekutivi i Prizrenit në raportin 100-ditor të qeverisjes ka bërë të ditur se në fillim të mandatit në administratën komunale janë gjetur mbi 50 persona në dikastere të ndryshme, pa kontrata e pa autorizime. Mirëpo kuvendarët nga radhët e subjekteve opozitare kanë shprehur dyshime sa i përket vërtetësisë së këtij pretendimi të qeverisë lokale.

Karanfil Haxhillari nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa ka kritikuar përmbajtjen e raportit 100-ditor të ekzekutivit gjatë mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, ka theksuar se dikush duhet të japë përgjegjësi nëse përbrenda administratës komunale është lejuar që të punojnë mbi 50 veta pa kontrata dhe pa autorizim.

“Në qoftë se janë apo kanë qenë këta 50 persona, atëherë kisha kërkuar nga ju që të dilni me emra dhe me mbiemra, sepse është shumë shqetësuese, paraprakisht si qytetar i Komunës e pastaj edhe si përfaqësues i qytetarëve, duhet ta di se kush janë këta persona të cilët paskan punuar pa kontratë. Apo ndoshta kjo është një gënjeshtër e dalë nga ju ose ndonjë keqinformim sa për të rrahur gjoks se kemi bërë diçka”, ka thënë Haxhillari.

Të pabazuara i ka quajtur kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dyshimet e ngritura nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes rreth vërtetësisë së gjetjes së prezantuar në raport. Ai përgjegjësinë për këtë ia ka adresuar ish-udhëheqjes komunale.

“Nuk është gënjeshtër, është një fakt me të cilin askush nuk mund të krenohet. Unë nuk dua që të kthehem te qeverisja e kaluar dhe të adresoj akuza, sepse atë periudhë e kemi kaluar. Jemi duke lëvizur përpara. Por në qoftë se dëshiron, mundesh që të vish në zyrë dhe t’i shohësh saktësisht emrat e njerëzve nëpër cilat drejtori kanë punuar, se nuk kanë pasur kontratë, nuk kanë marrë rrogë dhe kanë pasur qasje nëpër kompjuterë dhe në punët që janë kryer nëpër zyra. Nuk është performancë e mirë e pushtetit të kaluar dhe neve na është dashur që ta ndërpresim, mirëpo pa bërë shumë pompozitet”, ka deklaruar Totaj.

Në raportin 100-ditor të Totajt thuhet se gjatë dhjetorit të vitit të kaluar janë gjetur mbi 50 persona, në dikastere të ndryshme, të paautorizuar, pa kontrata, dhe pa asnjë referencë, të cilët kanë qenë duke

punuar dhe kanë pasur qasje në informacion në Komunën e Prizrenit. Aty theksohet se në mesin e tyre ka pasur individë, të cilët kanë punuar që nga viti 2017, pa pagesë, pa kontratë dhe pa autorizim, dhe se të gjithë personat e paautorizuar janë larguar nga Komuna.

Komuna e Prizrenit nga fundi i vitit 2017 deri në fund të vitit 2021 është drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse në zgjedhjet e fundit komunale Partia Demokratike e Kosovës është kthyer në krye të pushtetit lokal.