Anashkalim të procedurave të prokurimit, tejkalim të kontratës kornizë, pagesa në kundërshtim me ligjin, etj., janë disa nga defektet që Zyra Kombëtare e Auditimit i ka gjetur në Komunën e Podujevës gjatë vitit 2020. Në raportin vjetor të ZKA-së për këtë komunë, që atëkohë udhëhiqej nga LDK-ja, thuhet se sipas nenit 13.1 të Ligji nr. 07/001 mbi ndarjet buxhetore, paradhënia është e kufizuar deri në pesëmbëdhjetë për qind (15%) të vlerës së kontratës. Ndërkohë, Auditori ka gjetur se Komuna e Podujevës kishte tejkaluar këtë limit ligjor duke paguar avans 30 për qind të vlerës së kontratës.
“Komuna kishte paguar si avanc - paradhënie 20,850€ (avanci ishte paraparë me kontratë) për blerjen e Kamionit për zjarrfikës. Komuna kishte tejkaluar limitin ligjor duke paguar 30% të vlerës së kontratës. Vlera e tejkalimit ishte 10,425€. Nuk kemi marrë ndonjë sqarim konkret nga ana e zyrtarëve komunalë, në lidhje me pagesën e avansit përtej limitit”, thuhet në raportin e ZKA-së. “Pagesat përtej limiteve të lejuara nga Thesari kanë ndikim të drejtpërdrejt në mirëmbajtjen e balancit nga ana e thesarit të parave të gatshme në dispozicion për përdorim nga ana e organizatave buxhetore. Pagesat e tilla mund të sjellin komplikime në realizimin e projekteve tjera buxhetore si shkak i mungesës së parave të gatshme”.
Përveç kësaj, për të njëjtën kontratë Auditori ka gjetur se Komuna e Podujevës kishte anashkaluar edhe procedurat e prokurimit.
“Komuna kishte lidhur kontratë prej blerjen e një Kamioni për departamentin e zjarrfikësve në vlerë prej 69,500€ duke anashkaluar procedurat e përcaktuar të prokurimit publik. Komuna kishte nënshkruar një marrëveshje me Ambasadën Japoneze ku financimi ishte nga Qeveria Japoneze, por që në marrëveshje nuk kishte ndonjë kusht që e përjashton aplikimin e procedurave të prokurimit. Sipas marrëveshjes në mes komunës dhe donatorit nuk është parashikuar zbatimi i rregullave dhe/ose procedurave të tjera të prokurimit”.
Sipas ZKA-së Komuna e Podujevës kishte bërë edhe tejkalim të kontratës kornizë. Siç thuhet në raport, në kontratën për “Riparimin e rrugëve të asfaltuara” komuna kishte lidhur kontratë kornizë për njësi në vlerë prej 185,700€.
“Sipas kësaj kontrate pozicionet janë peshuar dhe gjatë realizimit kemi tejkalim të pozicionit nr. 2.4 për 13,474€ apo 29%. Vlera totale e pozicionit nr. 2.4 sipas kontratës është 46,425€ kurse me dy situacione ky pozicion është paguar në vlerën 59,899€. Kjo sipas menaxherit të kontratës ka ndodhur për shkak se janë riparuar disa rrugë që nuk kanë qenë të planifikuar të riparohen gjatë vitit 2020”, thuhet tutje në raport.
Sipas të njëjtit, porositja e shërbime apo punëve dhe tejkalimi i pozicioneve tregon dobësitë e kontratës dhe kontrollet e ushtruara nga menaxhmenti i lartë duke sjellur edhe vështirësi financiare dhe se kjo praktikë ndikon që buxheti të shpenzohet pa planifikim paraprak.
E përderisa kishte bërë tejkalim të pagesave avans në kundërshzim me ligjin, në një kontratë tjteër, Komuna e Podujevës i ka vonuar pagesat e faturave.
Sipas nenit 39.1 të ligjit Nr.03/L-048 për MFPP, çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë për mallra dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore duhet të paguhen brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës.
“Në shtatë aste pagesat e faturave në vlerë prej 164,539€ për investimet kapitale nuk janë paguar në afatin e paraparë ligjor. Vonesat ishin nga 10 ditë deri në 4 muaj. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së mjeteve. Vonesat në realizimin e pagesave ndikojnë që Komuna të jetë subjekt i padive nga operatorët ekonomik, duke shkaktuar shpenzime shtesë gjyqësore/ përmbarimore për Komunën”.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar edhe dobësi në menaxhim të kontratës. Sipas nenit 61.23 të Rregullve dhe udhëzuesi operativ për prokurimin publik ndryshimi i kontratës nuk do t’i lëshohet operatorit ekonomik para marrjes se aprovimit nga Zyrtari Kryesor Administrativ. Ndërkohë, Auditori ka gjetur se në katër raste menaxherët e kontratave kishin aprovuar ndryshime të pozicioneve të kontratës pa një aprovim paraprak nga Zyrtari Kryesor Administrativ.
“Në dy pagesa në vlerë prej 99,744€, për kontratën ‘Zgjerimi dhe rregullimi i lumit Llap’ (vlera e kontratës 326,801€), nga vizita në terren kemi vërejtur se menaxheri i kontratës ka bërë aprovimin dhe pranimin e punimeve jo sipas përshkrimit të pozicioneve të kontratës. Sipas paramasës vendosja e gurëve në koshat e gabioneve është kontraktuar të jenë nga 10-20cm, mirëpo aty janë vendosur gurë të paklasifikuar nga 1cm e më shumë. Vlera e punimeve të realizuara në këtë pozicion është 22,050€”, thuhet në raportin e ZKA-së. “Në pagesën në vlerë prej 30,000€ për kontratën ‘Renovimi i hyrjeve dhe korridoreve të banesave’ (vlera e kontratës 96,932€), nga vizita në terren kemi vërejtur se menaxheri i kontratës ka bërë aprovimin dhe pranimin e punimeve jo sipas përshkrimit të pozicioneve të kontratës. Pozicioni - Furnizimi dhe montimi i dyerve nuk ishte bërë me profil t=8cm dhe me xham të trefishtë, por ishte bërë me profil 4.5cm dhe me dy xhama”.
Tutje thuhet se nanorët e hyrjeve nuk ishin furnizuar me kartela elektronike për hapjen e derës se hyrjes siç ishin kontraktuar.
“Gjithashtu edhe Furnizimi dhe montimi i ramëve (dritareve statike) për ndriçimin e shkallëve prej materialit të plastikës nuk ishte vendosur me profil me trashësi t=8cm dhe me tre mbyllje gome siç ishte kontraktuar, por ishte vendos me profil t=7cm dhe me dy goma mbyllëse. Vlera e pozicioneve të realizuara jo sipas kontratës ishte 26,950€”.
Auditori ka gjetur se në pagesën në vlerë prej 10,336€ për kontratën “Ndërtimi i kalesave Popovë-Sllatinë-Pollatë” (vlera e kontratës 47,467€), menaxheri ka aprovuar ndryshime të pozicioneve të kontratës në vlerë prej 7,680€ apo 16% të kontratës; dhe në kontratën “Meremetimi i rrugëve me zhavorr” në vlerë prej 143,883€, menaxheri i kontratës kishte aprovuar ndryshime të pozicioneve të kontratës në vlerë prej 36,170€ apo 25%, por pa u tejkaluar vlera e përgjithshme e kontratës.
Komuna e Podujevës gjatë vitit të kaluar kishte bërë edhe pranim të punëve/furnizimeve të parealizuara jo sipas kontratës.
“Nga ekzaminimet fizike kemi hasur parregullsi në pranimin e punëve apo furnizimeve të kontratave si në vijim: Te pagesa në vlerë 30,000€ për kontratën ‘Renovimi i hyrjeve dhe korridoreve të banesave’, (vlerë e kontratës 96,962€), nga ekzaminimi i pjesshëm në teren kemi vërejtur se te situacioni II tek pozicioni (Furnizimi dhe montimi i ramëve prej materialit të plastikës me trashësi të profilit t=8cm dhe me tre mbyllje gome), ishin pranuar dhe paguar si punë të përfunduara 3,678€ më shumë sesa realisht ishin kryer punime”, ka vërejtur ZKA-ja. “Te pagesa në vlerë prej 29,840€ për kontratën ‘Furnizim të një autoambulancë me pajisje të reanimimit për nevoja të QKMF-së’ (vlera e kontratës 59,840€), nga ekzaminimi fizik i autoambulancës dhe pajisjeve kemi vërejtur se furnizimet nuk ishin realizuar sipas kontratës në këto pozicione: Sipas kontratës dyshemeja duhej të ishte antibakteriale dhe e parrëshqitshme. Çertifikatat që e dokumentojnë se dyshemeja është e parrëshqitshme dhe padepërtueshme nga uji nuk na janë ofruar”.
Auditori thotë se edhe interieri do të duhej të ishte i puthitur mirë. Mirëpo siç thuhet në raport, dyshemeja e autoambulancës nuk ishte e puthitur mirë për muri dhe ka filluar të largohet.
“Kabineti për terapinë medicionale - ana e majtë e autoambulancës pjesa e pacientit, sipas specifikimit teknik të kontratës do të duhej të ishte e pajisur me rafte sa tërë gjatësia dhe lartësia e autoambulancës për vendosje të pajisjeve dhe medikamenteve. Autoambulanca e pranuar kishte vetëm një pjesë me rafte, por jo siç ishte specifikuar në kontratë. Në çati sipas specifikimit teknik të kontratës do to duhej të kishte të vendosura dy mbajtëse dorës 1200mm nga kromi”. Por, ZKA ka gjetur se autoambulanca i kishte të vendosura dy mbajtëse nga metali i ngjyrosur e jo nga kromi.
“Defiblatori bifazik manual me monitor nuk është sipas specifikimit teknik të kontratës, por është difiblator AED apo defiblator mobil automatik; dhe Testeri për alkool me ekran digjital, në raportin e pranimit figuron se është pranuar, mirëpo gjatë ekzaminimit fizik nuk na është ofruar. Nuk kemi marrë ndonjë sqarim konkret nga ana e zyrtarëve komunal, në lidhje me pranimin e punëve/furnizimeve të parealizuara”.
ZKA-ja ka gjetur edhe tjera dobësi të Komunës së Podujevës për vitin 2020.