Avokati Ardian Bajraktari ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është aprovuar padia e Institutit të Kosovës për drejtësi dhe është shpallur i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave, i datës 17 janar 2025.
Me këtë vendim, KPM-ja detyrohet që t’ia paguajë IKD-së shpenzimet e procedurës në shumën prej 239 euro.
Bajraktari, i cili është përfaqësues i IKD-së ka thënë se vendimi i Themelores konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së kryetarit të KPM-së.
“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar padia e OJQ Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe është deklaruar i paligjshëm Vendimi për Zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) i datës 17.01.2025. Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës me rastin e zgjedhjes së Kryetarit të KPM-së. Po ashtu, ky vendim rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë, me rastin e marrjes së vendimeve të tilla”, ka shkruar ai në Facebook.
Përmes kësaj padie, IKD-ja ka kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM të mbajtur më 17 janar.
Gjithashtu, IKD ka kërkuar që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.