Arbëri

Thaçi thotë se Kosovës iu hoq reja e zezë, Selimi nuk i druhet drejtësisë

Hashim Thaci - Rexhep Selimi

Akuzat e bëra nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë janë mohuar nga mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata kanë thënë se ZPS-ja ka dështuar të paraqesë fakte. Ish-presidenti Hashim Thaçi ka shprehur keqardhje për të gjitha viktimat. Sipas tij, në këtë proces është vërtetuar se në Kosovë nuk ka pasur trafikim organesh. E ish-shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia

Në ditën e dytë të gjykimit të ish-drejtuesve të UÇK-së janë dhënë deklaratat e para nga të akuzuarit në Gjykatën Speciale, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi. I akuzuari tjetër, Kadri Veseli, nuk ka bërë deklaratë hyrëse.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është tërësisht i pafajshëm dhe se i vjen keq për të gjitha viktimat. Ai ka deklaruar se në këtë proces është vërtetuar se nuk ka pasur trafikim organesh e nuk ka ekzistuar “shtëpia e verdhë” dhe se do të vërtetohet pafajësia e tij. Ka thënë se më këtë i është hequr një re e zezë.

“Kur Raporti i Dick Martyt para 13 vjetësh mbushi titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se ‘shtëpia e verdhë’ nuk ka ekzistuar kurrë”, ka thënë Thaçi.

Dëshmitë kundër, ai ka thënë se burojnë nga mllefet politike, derisa ka shprehur keqardhje për viktimat, pavarësisht përkatësisë së tyre.
“Gjithashtu, emocionet, motivet apo mllefet politike të secilitdo akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime e opinione pas luftës të ekzagjeruara apo të përshtatura të akterëve të ndryshëm të luftës… Më lejoni të shfrytëzoj këtë moment, të them se ndiej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare a politike. Viktimat s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me veprimet e pretenduara në këtë aktakuzë.

“Të gjithë së bashku që jemi këtu, pavarësisht dallimeve politike që mund t’i kemi pasur, do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së, se jemi të pafajshëm”, ka thënë Selimi.

Ndërsa ka folur për terrorin që po përjetonte populli shqiptar, ai ka treguar se si është përballë mes dy zgjidhjeve – t’u bashkohet familjarëve të tij në mërgim, apo një familjes që ai e quan shumë të madhe, familjes Jashari.

“Në ato ditë të rënda për Kosovën, vazhduam të rezistonim, ashtu siç dinim e ashtu siç mundnim, donim ta kishim edhe në një ushtri të armatosur mirë, por nuk ia arritëm ta armatosnim si duhet. Donim edhe ne ta kishim një ushtri të organizuar mirë, por nuk e arritëm ta organizonim siç do të duhej, donim edhe ne ta mundnim Serbinë, por nuk e arritëm këtë, pa ndihmën e shteteve nga jashtë, u munduam të organizohemi, të armatosemi, por nuk ia arritëm, u munduam ta bënim këtë për të mbijetuar si njerëz të vendit ku kishim lindur.Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe familjeve të tjera, të cilat na strehonin dhe na mbanin, ne nuk kishim akademi ushtarake, por na kishin mësuar prindërit tanë se si duhet të mbrohemi e të luftonim për vendin tonë...”, ka thënë Selimi veç tjerash në fjalën hyrëse të tij.

Ai ka shprehur besimin se në fund të procesit do të vërtetohet pafajësia e tij dhe e të akuzuarve tjerë.

“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallëherë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia, gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris, unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por pavarësisht kësaj, unë sot qëndroj përballë jush, me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë sime”.

Avokatët mbrojtës të tyre në deklaratën hyrëse, përveç mohimit të akuzave ndaj klientëve, kanë thënë se ZPS-ja nuk ka ofruar asnjë fakt se ata ishin pjesë e grupit kriminal të organizuar.
Avokatët, po ashtu, kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte organizim siç pretendon Prokuroria. Sipas tyre, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kishte kontroll mbi ushtarët në mbarë Kosovën.

“ZPS dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Të nderuar gjykatës, ju parashtroj se kjo është shumë larg së vërtetës... Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime, si një prej udhëheqësve politikë të UÇK-së. Hashim Thaçi e dinte se suksesi i lëvizjes çlirimtare të Kosovës varej nga mbështetja e vendeve perëndimore, sidomos nga SHBA-ja... Shumë herët në fillimet e këtyre zhvillimeve të viteve ‘98 SHBA-ja i ofroi mbështetje UÇK-së sipas disa kushteve - asnjë sulm kundër civilëve, asnjë mbështetje nga grupet fundamentaliste islamike e të tjera, asnjë financim nga trafikimi i lëndëve narkotike të paligjshme dhe asnjë veprim jashtë territorit të Kosovës... Kishte motivin për të mos u angazhuar në ndërmarrjen kriminale të përbashkët të përshkruar në aktakuzë, në mënyrë që të mos rrezikonte mbështetjen nga SHBA-ja”, ka thënë avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

Se UÇK-ja s’kishte hierarki është dëshmuar tashmë nga dëshmitarët e Tribunalit të Hagës, sipas avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson.
“Dëshmitar pas dëshmitari në proceset e mëparshme të Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi e kanë përshkruar strukturën e pushtetit në UÇK si një strukturë që në thelb ishte horizontale dhe jo vertikale, ku komandantët e zonave, madje edhe komandantët lokalë, ushtronin nivele shumë të larta autonomie”, ka thënë Emmerson.

Ai ka paralajmëruar se mbrojtja do ta thërrasë të dëshmojë Bislim Zyrapin, ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, i cili ka dëshmuar edhe në proceset e tjera gjyqësore në Tribunalin e Hagës. Ndërsa David Young, avokat i Rexhep Selimit, ka thënë se krimet ishin të natyrës së izoluar dhe se s’kishin të bënin me Selimin dhe të akuzuarit e tjerë.
“Siç do ta tregojnë provat, në dy vjetët e ardhshëm, nëse ndonjëra prej veprave penale të përshkruara në periudhën e aktakuzës ka ndodhur, ajo përbën një ngjarje të izoluar, të rastësishme kundër individëve të caktuar dhe se z. Selimi thjesht s'ka pasur lidhje me to. Personat përgjegjës janë ata të cilët e kanë kryer fizikisht veprën penale ose kanë qenë përgjegjës për urdhërimin e saj. Thënë thjesht, krimet e kryera në luftë, jo doemos janë rezultat i një plani apo politike, edhe nëse ato janë relativisht të shumta në numër”, ka thënë Young.
Avokatët kanë theksuar se provat do të tregojnë pafajësinë e klientëve të tyre.

Në ditën e tretë të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, deklaratën hyrëse do ta paraqesë mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Gjykimi ndaj tyre pritet të vazhdojë më 11 prill, kur edhe do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve.
Ish-pjesëtarët e Shtabit të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e publikuar në shkurt të këtij viti pohon se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi e kanë ditur ose kanë pasur arsye të dinin për krimet që ndodhnin nëpër vende të ndryshme të Kosovës e Shqipërisë, përfshirë vrasje, torturë e trajtim mizor në periudhën 1998-99. Ata akuzohen se kanë marrë pjesë personalisht në frikësim, marrje në pyetje, keqtrajtim të të ndaluarve. Në anekset me listën e viktimave në të përfshihen mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.