Shumë punë për ta ndryshuar kushtetutën ka paralajmëruar presidenti Hashim Thaçi, për ditët në vijim.
Nga Prizreni, ku shkoi për të vizituar një qendër tregtare, Thaçi tha ndryshimin do ta bëjë për t’i hapur rrugë bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën përmes korrigjimit të kufirit, raporton KTV.
“Korrigjim të kufirit po si shtet i pavarur dhe bashkëngjitje e Luginës së Preshevës”, tha Thaçi.
Ndryshimi i kushtetutës, sipas tij, nuk është fundi i botës, pasi tha se kjo ka ndodhur katër herë gjatë kohës sa ka qenë kryeministër.
Presidenti nuk u është përgjigjur deklaratave të Haradinajt se kushdo që e prek kufirin e Kosovës, do ta gjejë atë atje.
Por, ka thënë se nuk ka rrugë tjetër, përpos plotësimit të kërkesave që vijnë nga SHBA-ja.
Lexoni edhe:
“Respektimi i këshillave të Amerikës thekson qartë drejtimin tonë të drejtë si shoqëri, çdo kryeneçësi tjetër është ana e gabuar e historisë”, u shpreh Thaçi.
Shkëmbimin e territoreve me Serbinë, Thaçi e vlerësoi si pazar të keq, të cilin tha se nuk do ta lejojnë.
Ndërsa, duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Thaçi ka thënë se janë ndaluar përpjekjet që ai të ketë kompetenca ekzekutive.
Kurse, idenë e kryeministrit Haradinaj për konferencë ndërkombëtare, sërish e ka quajtur të rrezikshme për Kosovën.