Prishtinë, 15 shkurt - “Ftoj për një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i hapur rrugë liberalizmit të vizave”. Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të sotshëm me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Sipas komunikatës për media, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën dhe për vizitën e tij në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Markoviq kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, gjendjen aktuale politike në rajon dhe për perspektivën evropiane.
Presidenti Thaçi ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe ka kërkuar zgjerimin e tyre edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
Në këtë takim është biseduar edhe për domosdoshmërinë e ratifikimit të shpejtë të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënimin e vijës kufitare.
“Ftoj për një unitet politik në Kosovë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i hapur rrugë liberalizmit të vizave. Kjo do të ishte dhurata më e bukur për qytetarët e Kosovës në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Edhe
Thaçi: Tani ka hapësirë për procedim të Marrëveshjes së Demarkacionin me Malin e Zi
Nga ana tjetër, kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka theksuar se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën dhe do ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror.
“Do të bashkëpunojmë ngushtë që t’i realizojmë interesat tona të përbashkët, të anëtarësimit në BE”, u shpreh kryeministri Markoviq.
Presidenti Thaçi ka theksuar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.