Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj takohet me Markoviqin, Mali i Zi mbështet Kosovën në rrugën evropiane

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin ndërshtetëror me Malin e Zi.

Këtë deklaratë, Haradinaj e dha pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

“Kryeministrin e Malit të Zi e përgëzova për zgjedhjen e presidentit të ri, Milo Gjukanoviq. Jemi të lumtur që ky vend zgjodhi një president që ka aspirata të njëjta me vendin tonë, familjen evropiane dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të. Vizioni ynë si Kosovë është që të thellojmë raportet miqësore, fqinjësore, ekonomike dhe politike me Malin e Zi. Ky vend ka treguar gatishmëri ta ndihmojë Kosovën në proceset tejet të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi”, është shprehur Haradinaj.

Për Markoviqin, sipas njoftimit të kryeministrisë, Kosova mbetet një nga vendet me të cilat duhet intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe partneritetin politik, “fusha këto për të cilat Mali i Zi do të përkushtohet që të avancohen, derisa mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane”.

Ata kanë diskutuar edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, rrugën që e lidh Kosovën me Malin e Zi, për hekurudhën që përshkon Bjello Polen – Berane – Pejë, për mbështetjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe atij shqiptar në Malin e Zi.