Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për situatën e tensionuar në Maqedoni.
Situata në Maqedoni ishte përshkallëzuar pasi Talat Xhaferi u shpall kryetar i Kuvendit maqedonas, dhe me këtë rast protestuesit kanë hyrë brenda parlamentit duke lënduar disa deputetë, transmeton Koha.net.
Ai ka uruar Talat Xhaferin për postin e kryetarit të Kuvendit.
“Po i përcjell me shqetësim ngjarjet në Republikën e Maqedonisë. E përshëndes zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit maqedonas, z. Talat Xhaferi, dhe apeloj tek të gjithë që të përmbahen nga veprimet e dhunshme dhe shpresoj që qytetarët atje të mos bien pre e provokimeve”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Presidenti i Kosovës më tutje ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është korniza e duhur, e cila siguron funksionimin demokratik të Maqedonisë.
“Stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve demokratike të Republikës së Maqedonisë është interes i qytetarëve të saj, por edhe i gjithë rajonit. Natyrisht se për shqiptarët e Maqedonisë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është korniza e duhur e cila siguron funksionimin demokratik të shtetit fqinj, të cilin dëshiroj ta shoh sa më shpejt të anëtarësuar në NATO dhe BE”, ka thënë ai.