Në takimin e presidentit të vendit Hashim Taçi, morën pjesë përfaqësuesit e koalicionit PAN, dhe ata të minoriteteve.
Këtë takim e kanë bojkotuar Vetëvendosje, LDK dhe Lista Serbe.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka ftuar të gjitha partitë politike të përgatiten për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës në të cilin do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe do të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit, raportojnë mediat e grupit KOHA.
“Ju ftoj që si parti politike të koordinoheni me deputetët tuaj dhe të jenë në dispozicion për mbajtjen e seancës së parë të Kuvendit të Kosovës në të cilin do të verifikohen mandatet e deputetëve dhe do të zgjedhim Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, që t’i hapim rrugë pastaj formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri do të jetë qeveri e orientimit euroatlantik, që do të angazhohet të punojë dhe të realizojë aspiratat e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe në BE”, ka thënë ai.
Pal Lekaj nga AAK, ka thënë se kjo parti do i mbështes të gjitha proceset që janë pozitive.
“Kosovës i duhen institucione të mirëfillta e demokratike. Na vjen keq që subjektet që nuk i kanë fituar zgjedhjet nuk janë për bashkëpunim dhe nuk angazhohen për të mirën e vendit. Seanca duhet të thirret sa më shpejtë”, ka thënë Lekaj.
Ndërkaq Enver Hoxhaj nga PDK, ka thënë se konstituimi i kuvendit dhe qeverisë është domosdoshmërisht e ngutshme meqë vendi ka nevoje të lëvizë për reforma të brendshme.
“Kurdo që mendoni se duhet të ndodhë të bëhet. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë. Mendoj se i kemi numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Duhet të bëhen reforma, që të arrihen disa procese si liberalizimi i vizave. Vendi ka nevojë ti adresojë obligimet si dialogu, demarkacioni, e krijimi i ushtrisë. Do dalim me program të mirëfilltë qeverisës që do t'i adresojë këto çështje mirëfilltë”, ka thënë Hoxhaj.
Valdete Bajrami nga Nisma, ka kërkuar nga Thaçi të japë dritë jeshile, pasi sipas saj, janë në pritje te regjistrimit të deputetëve që të bëhet edhe përgatitja e seancës.
“Mendoj se jemi në afat kohor të mirë që të mbahet seanca gjatë kësaj jave ose fillim të javës së ardhshme”, ka thënë Bajrami.
Rasim Demiri nga Vakat tha se duhet “të jetë në afat seanca ligjore dhe të ecim para”.
Edhe deputetja Emilja Rexhepi ka thënë se seanca konstituive duhet të thirret sa më shpejt.
“Në qeveri duhet të jenë të përfaqësuara komunitet, sepse ka procese me rëndësi. Ta kemi komunën e Reçanit. Problem për neve është asimilimi që po ndodh”.
Danush Ademi nga PDASHK, shtoi se “Vendi ka nevojë që Qeveria e Kosovës të themelohet sa më shpejtë”.
Në fund, edhe Slobodan Petroviq nga SLS, shtoi se janë të vetëdijshëm që nuk mund të caktohet data e saktë por me rëndësi është që të gjitha partitë të jenë pjesë e këtij procesi.