Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për 3 gusht.
Kryesia e Kuvendit nga legjislatura e kaluar, tani ka për obligim të bëjë përgatitjet për mbajtjen e seancës konstituive, që përfshinë marrjen e propozimeve nga kryetarët e partive politike që kanë fituar vende në Kuvend për të caktuar rendin e ditës, si dhe ka për detyrë të bëjë caktimin e ulëseve në Kuvend sipas forcave politike, raporton Koha.net.
Albert Krasniqi nga KDI, që monitoron punën e Kuvendit, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se pas kësaj, kompetencat kalojnë tek deputeti më i vjetër në moshë, cili kryeson punimet e seancës konstituive, i ndihmuar nga deputeti më i ri për nga mosha.
“Kryesimin e seancës e bënë deri në momentin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit dhe të pesë nënkryetarëve, që përbëjnë edhe kryesinë e Kuvendit. Zgjedhja e kryetarit dhe të nënkryetarëve bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, i pyetur nëse ka mundësi që të zvarritet për një kohë procesi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, pas seancës konstituive, ai për Koha.net ka thënë se janë katër situata që mund të pengojnë konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryekuvendarit.
Krasniqi ka bërë të ditur, se situata e parë që pengon konstituimin e Kuvendit është në rast se mungojnë mbi gjysma e deputetëve.
“Nëse në seancë nuk janë të pranishëm mbi gjysma e të gjithë deputetëve, respektivisht të paktën 61 deputetë të cilët përbëjnë kuorumin e nevojshëm. Në këtë rast seanca duhet të ndërpritet”.
Tutje ai ka thënë se seanca ndërpritet nëse koalicioni PAN nuk propozon kandidatë për Kryetar të Kuvendit.
“Koalicionet tjera nuk kanë të drejtë të bëjnë propozime, ndërsa PAN ka të drejtë të propozoj secilin prej 120 deputetëve të zgjedhur”, shtoi ai.
Situata e tretë që pengon konstituimin e Kuvendit, është nëse kandidati i propozuar nga PAN nuk arrin të marrë numrin e nevojshëm të votave të deputetëve. PAN mund të insistoj në kandidatin e njëjtë, duke e propozuar në secilën seancë.
Dhe e fundit, nëse koalicionet tjera nuk propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit. Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk bëhet zgjedhja e kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë afat ligjor që kërkon konstituimin e Kuvendit, si dhe nuk parashihet që dështimi për të bërë zgjedhjen e kryetarit të qoj në shpërndarjen e Kuvendit, ashtu siç është rasti me zgjedhjen e kryeministrit dhe të presidentit.
“Krejt kjo mund të prodhoj një situatë ku procesi i konstituimit të Kuvendit të tej zgjatet deri në arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike të përfaqësuar në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 3 gusht 2017, në orën 10:00.