Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, mendon se nga ajo që shihet në Kuvendin e Kosovës, bllokues të proceseve janë të gjitha partitë politike pjesë e Kuvendit derisa vendosin kushte dhe nuk lëshojnë pe.
Maliqi thotë për Radion Evropa e Lirë, se meqenëse ka vonesa e bllokime në formimin e institucioneve të reja, duhet të ketë dialog ndërmjet partive politike.
Ai mendon se për të mos hyrë në një krizë të thellë politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i ftojë partitë politike për të biseduar.
“Iniciativën duhet ta marrë ndoshta presidenti, që të zhvillojë konsultime dhe ta përshpejtojë procesin, sepse nuk ka më kuptim të vonohen ose të kushtëzohen këto dy procese [konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë]”, vlerëson Maliqi.
Derisa e përjashton mundësinë e zgjedhjeve si një opsion për të dalë nga kjo gjendje, analisti Maliqi thotë se tani edhe mund të ndodhë që koalicionet parazgjedhore të mos jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash.
“Është edhe një mundësi tjetër që të shpartallohen këto konfiguracionet parazgjedhore, të kemi një lëvizje të lirë që disa subjekte të ndahen prej koalicioneve paraprake dhe të negociojnë ndërmjet vete ndoshta mund që ndonjë konfiguracion tjetër të japë ose ta bëjë qeverinë”, konsideron Maliqi.
Situata e krijuar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas analistëve, burimin e ka në sistemin zgjedhor, i cili vlerësohet se nuk i ka mundësuar asnjërës parti apo koalicion, që të fitojë një shumicë parlamentare.
Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive.
Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN në vazhdimin e seancës, është shtyrë konstituimi i Kuvendit për të premten, por as të premten deputetët e këtij koalicioni nuk morën pjesë në seancë.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se pas takimit konsultativ të përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, është vendosur që një takim i ngjashëm konsultativ, me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të mbahet të mërkurën, më 9 gusht.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, kanë thënë se për Kosovën është e rëndësishme që të ketë Kuvend dhe Qeveri funksionale sa më shpejt që është e mundur.