Arbëri

Terras dënon sulmin në veri: Kriminelët të dalin para drejtësisë

Riho Terras

Foto: Alban Bujari

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, derisa ka theksuar se të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë.

Ai në vizitën e tij të parë në Kosovë, tha se të martën do të qëndrojë edhe në veriun e vendit, ku inkurajojë institucionet e Kosovës që të ndriçojnë rastin e sulmit terrorist të 29 nëntorit, ku u dëmtua infrastruktura kritike e vendit. Raportuesi për Kosovën në unionin evropian, u shpreh më i rezervuar për ecurinë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, pasi tha se po pret të marrë pikëpamjet e të gjitha palëve të përfshira.

“Nesër planifikojë që të vizitojë veriun e Kosovës. Aty do t’i mbajë disa takime dhe të njëjtën kohë do t’i vizitojë vendin ku ka ndodhur sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit. Gjithashtu, ju inkurajojë që autoritetet të punojnë në këtë drejtim drejt zbulimit dhe ndriçimit të këtij rasti... Të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë. Unë jam gjeneral dhe për të bërë një plan njëherë duhet të kem një pasqyrë të plotë të informacioneve”, theksoi ai.

Terras në konferencën për media, njoftoi se është takuar me krerët institucional në Kosovë, si dhe po pret që ditëve në vijim të takohet edhe liderët opozitarë, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, si dhe shoqërinë civile në Kosovë.

Kur u pyet për ngërçin në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ai tha se do të jep një qëndrim më objektiv pasi të takohet me të gjitha palët e përfshira.

“Më jepni mundësi që të takohem me të gjitha palët dhe të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, në mënyrë që të marrë të gjitha pikëpamjet e tyre. Siç e ceka më herët për të hartuar një raport objektiv të progresit dhe më pastaj do të diskutojmë më tej”, shtoi Terras.

Krahas këtyre, eurodeputeti lavdëroi Kosovën për ndërmarrjen e një sërë reformash, që sipas tij, do të ndihmojnë vendin në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.

“Jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova me sukses ka ndërmarrë një sërë reformash në përparimin e saj. Kjo është reflektuar në Raportin e Progresit për vitin 2024. Në cilësinë e raportuesit në Parlamentin Evropian jemi këtu për t’i përfshirë të gjitha këto arritje në raport”, përfundoi Terras.

Më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.

Institucionet vendore e kualifikuan si sulm kriminal dhe terrorist që qëllim kishte dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.

Si pasojë e këtij sulmi terrorist disa qytete në Kosovë për ditë me radhë mbetën pa ujë të pijshëm. Po ashtu, u rrezikua edhe qëndrueshmëria e sistemit të energjisë elektrike në Kosovë, pasi përmes ujit të Ibër-Lepencit bëhet ftohja e termoelektranave të Kosovës B. /KP