Profesionistë dhe institucione shëndetësore kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të diellit, sidomos për kategoritë e cenueshme. Këtë javë temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius dhe kjo ka alarmuar qytetarët, si dhe institucionet që kanë dalë me rekomandime të shumta
Gjatë kësaj jave temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 40 gradë celsius e për këtë profesionistë shëndetësorë rekomandojnë shmangien e diellit e konsumim sa më të madh të ujit.
Vlora Esati-Thaçi, specialiste e mjekësisë familjare, thotë se më të rrezikuarit prej temperaturave të larta janë personat në moshë, me sëmundje kronike dhe shtatzënat.
“Kemi pasur numër më të madh të pacientëve me simptomatologji të ndryshme për shkak të temperaturave të larta. Ankesat më të shpeshta janë: marramendja, lodhja, tharja e gojës, plogështi, humbje imuniteti”, ka thënë Vlora Esati-Thaçi.
Rekomandime për temperaturat e larta gjatë së hënës bëri edhe Ministria e Shëndetësisë. Në njoftimin e saj u listuan disa, si veshja e rrobave më të lehta dhe shmangia e pijeve me sheqer dhe atyre alkoolike.
E qytetarët e kanë hallin e të moshuarve dhe të të sëmurëve.
“Prej orës 11:00 deri në orën 18:00 nuk dal. Do të jetë shumë e vështirë për të sëmurë, sidomos për të moshuarit edhe për të sëmurit nga zemra dhe mushkëritë”, ka deklaruar njëri nga qytetarët.
E për një tjetër temperaturat janë të zakonshme në këtë stinë.
“Kjo kohë është normale se është koha e korrikut e gushtit, ngrihen temperaturat, por moshatarët duhet të përgatiten për shembull prej orës 10 deri në 19 mos me dalë për shkak të sheqerit, yndyrës, zëmrës duhet më ju rujtë kësaj temperaturës”, ka thënë ai.
E Jakup Zogaj ka thënë se ai del jashtë shtëpisë “veç në mbrëmje”.
Doktoresha Esati-Thaçi ka këshilluar që përveç konsumit të bollshëm të ujit, duhet pasur kujdes me ushqimin.
“Ata që duhet të dalin patjetër duhet që të vishen me rroba ngjyrë të hapura, pasi që ato reflektojë rrezet e diellit, po ashtu preferohet që të konsumohet më shumë ujë deri në 3-4 litra gjatë ditës dhe preferohet që të përdorin më shumë ushqime të shëndetshme. Supë me perime, po ashtu të konsumohen edhe pemët të cilat kanë përmbajtje të ujit”.
Me apel për qytetarët ka dalë edhe Policia. Përmes një komunikate ka bërë thirrje që të shmanget ndezja e zjarreve, sidomos në zonat malore tё rajonit tё Pejёs.
Alarmin për kërcënimin që po i kanoset planetit nga ngrohja e saj rekorde e kanë ngritur shkencëtarët, e ndaj pasojave që tashmë janë shfaqur kanë reaguar disa shtete duke shpallur urgjenca nacionale në disa nga zonat e prekura të tyre.
Agjencia Evropiane e Hapësirës që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga hapësira ka paralajmëruar se edhe në ditët në vijim të ketë temperatura më të larta. Sipas kësaj agjencie, temperaturat e larta që vijnë kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike janë pjesë e një realiteti të ri me të cilin duhet të përshtatet bota.
“Kemi regjistruar javën e kaluar temperaturën e sipërfaqes së tokës në 60 gradë celsius. Kjo nuk është temperatura e ajrit në kuptimin meteorologjik, por ajo tregon temperaturën aktuale të sipërfaqes së tokës, se si do të ndihej në prekje. Dhe ne besojmë se do të intensifikohet”, ka thënë Clement Albergel, shkencëtar i Aplikimeve Klimatike në Agjencinë Evropiane të Hapësirës.
Nga të dhënat ndërkombëtare vendet më të prekura nga temperaturat e larta janë kryesisht të zonës mesdhetare, si Greqia, Italia e Spanja.