Arbëri

Specialistja tregon çrregullimet graduale që shkaktohen nga temperaturat e larta

Specialistja e mjekësisë familjare, Vjollca Zeqiri, ka thënë se qëndrimi në temperatura të larta rrezikon shëndetin dhe në shumicën e rasteve kjo fillon me paraqitje të simptomave më të lehta që mund të përshkallëzojnë në çrregullime më të rënda.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten, Zeqiri ka thënë se sa më të larta temperaturat dhe sa më i gjatë qëndrimi në rreze të diellit, aq më i madh është ndikimi në organizëm të njeriut.

Ajo ka thënë se gjithçka nis nga djersitja që shkakton humbje të lëngjeve. Nëse njerëzit s’kanë kujdes dhe të pinë ujë, shkaktohet dehidrimi. E simptoma tjera të mospërballimit të temperaturave të larta janë edhe tharja e mukozës së gojës, urinimi i rralluar, paraqitja e ngërçeve muskulare dhe dobësimi i muskujve. “Nëse s’veprojmë aty, menjëherë, përshkallëzohet situata dhe mund të kemi dëmtim të fijeve muskulare. E nëse nuk lirohen substancat toksike për shkak të dehidratimit, rrezikohet funksionimi i veshkave. Pra fillon me simptoma më të lehta dhe mund të përshkallëzojë dhe të kalojë në rrethana më të rënda”, ka thënë ajo.

Kokëdhembja, vjellja, marramendja, mundimi, ngërçet muskulare janë çrregullimet që sipas saj duhet t’u kihet kujdes. Ato rrezikojnë të përkeqësohen në gjendje më të rëndë në atë që quhet edhe “goditje nga nxehtësia”. Zeqiri ka thënë se kjo situatë mund të vijë me përkeqësim të simptomave të lehte, por ka raste kur vjen edhe pa paralajmërim.

“Personi menjëherë ka marramendje, kokëdhembje, humbje të orientimit, shikim të turbullt e konvulsione, humbje të vetëdijes e koma që rrezikojnë edhe humbjen e jetës”, ka thënë tutje ajo, duke apeluar te njerëzit që këdo që shohin në një prej këtyre gjendjeve t’u japin ndihmën e parë. Kjo ndihmë sipas saj bëhet fillimisht duke e larguar personin në ndonjë ambient më të freskët dhe duke ia ulur temperaturën trupore. Pas largimit në vend të freskët, ajo ka thënë se duhet vendosur peshqirë apo rroba të lagura te qafa, nënsqetulla dhe te ijët.

Ajo ka bërë thirrje për shmangie të përdorimit të antibiotikëve në raste të tilla.

Sipas Zeqirit, kategoritë më të prekura nga moti i nxehtë janë fëmijët, foshnjat, shtatzënat, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Ajo ka thënë se nuk ka pasur fluks të jashtëzakonshëm të njerëzve që kanë kërkuar ndihmë si pasojë e temperaturave të larta. Këtu ka shtuar se qytetarët janë më të vetëdijesuar dhe tashmë po mësohen me temperatura më të larta.

Sa u përket ushqimeve që duhet konsumuar gjatë verës, Zeqiri ka bërë thirrje për “pirje të ujit edhe kur nuk iu pihet”. Ajo ka thënë se nuk bën të konsumohen më pak se dy litra ujë, ndërsa për ushqim ka bërë thirrje për konsum të pemëve dhe perimeve e shmangie të ushqimeve të fërguara me shumë kripë dhe sheqer.

Sa i përket qëndrimit në ambiente me kondicionerë, ajo ka apeluar që njerëzit të mos i mbajnë hapësirat e brendshme shumë të freskëta, sepse kalimi nga një ambient shumë i ftohtë në një tejet të ngrohtë mund të jetë i rrezikshëm. Këtu ka shtuar se temperatura nëpër klima nuk duhet të jetë nën 24 gradë celsius.

Kosova po përballet me temperatura të larta tash e dy javë. Temperaturat kanë mbërritur në gati 40 gradë celsius në një rast. Institucionet shëndetësore kanë apeluar në vazhdimësi për kujdes dhe mosekspozim në diell.