Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Telekomi ka borxhe 35 milionë euro, thotë Balaj

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Telekomin e Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se Telekomi i Kosovës ka borxhe në vlerë rreth 35 milionë euro.

Sipas tij, gjendja financiare e ndërmarrjes është e rëndë. Ai ka thënë se punëtorët po e bartin barrën e keqpërdorimeve në këtë ndërmarrje, me pagat e tyre.

“Realisht gjendja s’është e mirë financiarisht. Është në gjendje të rëndë financiare, në rreth 7 apo 8 vitet e fundit. Është kapluar në borxhe në vazhdimësi. Momentalisht është rreth 35 milionë euro borxhe të akumuluara. Goxha vështirësi të sigurohen pagat e punëtorëve. Arsye është rënia e të hyrave dhe akumulimi i borxheve të mëdha e kontratat e dëmshme. Barrën po e paguajnë punëtorët me pagën e tyre. Fajtorët që i kanë nënshkruar këto kontrata që na kanë lënë edhe sot pa paga ndoshta ende përfitojnë nga ato mjete e barrën po e bartin punëtorët”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Balaj ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që “t’i kthejnë sytë nga Telekomi sepse ai s’është shkatërruar e vjedhë pa i pa dikush këto gjëra”.