Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorët e Telekomit kanë frikë të pranojnë ofertën për largim vullnetar nga puna

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, Qeveria e Kosovës, Prill 2022

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se organizata që drejton nuk ka qenë paraprakisht e informuar për strategjinë e menaxhmentit për të larguar punëtorët nga Telekomi.

Balaj, në emisionin “60 Minuta” në KTV, të enjten, ka thënë se te punëtorët ka një pasiguri rreth kësaj oferte të Qeverisë për zvogëlim të numrit të punëtorëve.

Punëtorëve të Telekomit u është ofruar mundësia që të lajmërohen vullnetarisht të largohen nga puna, ndërkohë që për këtë veprim do të kompensohen me 24 paga.

“E kam ditur që do të dalë një pako e tillë, por kemi qenë të befasuar se pse ne nuk kemi qenë të informuar për të. Kjo pako për largimin vullnetar të punëtorëve është krijuar nga Qeveria. Ajo e ka pranuar që ka gabuar pse nuk na ka futur sindikatën në diskutim për pakon sa i përket pensionit të parakohshëm. Pakoja tjetër është që t’u ofrohet punëtorëve të largohen vullnetarisht për t’i marrë 24 paga”, ka thënë ai.

Balaj ka njoftuar se kësaj kërkese dhe kërkesës tjetër që është bërë edhe më parë për pensionim të parakohshëm, deri tani u janë përgjigjur rreth 100 punëtorë.

“Iu kam thënë më herët qeverive që nuk është mirë të nisin luftë me punëtorë, nuk ka largim kolektiv, është vetëm një pako vullnetare për të cilën unë i siguroj punëtorët që do t’i marrin pagat”, ka thënë ai.

Balaj ka njoftuar edhe se gjendja në këtë ndërmarrje nuk është aspak e lehtë. Sipas tij, vlera e borxheve të kësaj ndërmarrje është rreth 40 milionë euro.

Edhe Shkëputja e kontratave me 302 punëtorë i kushton mbi 6 milionë euro Telekomit Arbëri Shkëputja e kontratave me 302 punëtorë i kushton mbi 6 milionë euro Telekomit

Ka thënë se Qeveria do të duhej t’i ndihmonte Telekomit për shlyerjen e këtyre borxheve në mënyrë që deri në fund të vitit 2023, ndërmarrja të dalë nga kjo krizë.

Sipas tij, nga fillimi i shtatorit të sivjetmë do të ketë ndryshime brenda ndërmarrjes.

“Tashmë vetëm ka përfunduar faza e tenderimit të investimeve strategjike dhe besojmë që fillimi i shtatorit do ta presë Telekomin me një natyrë dhe pamje tjetër, sidomos sa i përket telefonisë fikse dhe internetit, pasi që do të ndërrohen antenat e Valës, 4G-ja do të jetë më e fortë, ndërsa do të jemi në fazë testuese të rrjetit 5G”, ka thënë ai.