Për shkak të protestave të banorëve të Drenicës, Kryeministri Haradinaj, në mëngjes, njoftoi se ka marrë vendim ta tërheqë lejen që Ministria e Punëve të Jashtme ia ka dhënë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të shkojë në Drenicë.
“Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka shkruar ai, raporton KTV.
Anulimi i kësaj vizite ka ngjallur reagimet të shumta.
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogehrinit, Maja Kocijançiq ka shprehur keqardhje për anulimin e vizitës nga Presidenti i Serbisë në fshatin Banjë.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që udhëheqësit shtetërorë ta ruajnë rendin dhe qetësinë.
Edhe
Kronikë e KTV-së nga protesta e qytetarëve të Skenderaj kundër Vuçiqit
Kundër bllokimit të rrugëve tha se ishte edhe presidenti Hashim Thaçi.
Ai shkroi në rrjetet sociale se i mirëkupton qytetarët, por sipas tij, në një kohë kur po punohet për paqe mes dy vendeve, protestat nuk ndihmojnë.
“Si President i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta. Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve aspak nuk na ndihmojnë”, ka shkruar Thaçi.
Edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka thënë se ishte kundër vizitës së presidentit serb në Kosovë.
Ky tha se presidenti i Serbisë me vizitën e fundit dëshmoi se liderët e Serbisë po e vazhdojnë traditën e Slobodan Millosheviqit.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendimin e qeverisë e ka cilësuar si turp para vetes e botës për shtetin e Kosovës.
“Presidenti i një vendi armik, pasi ka caktuar kufij të rinj; pasi ka folur për resurset e Kosovës sikur të ishin të tij, është ndaluar - në i thënçin ashtu - e është kthyer jo në Serbi, por në Veri”, ka shkruar Abdixhiku
Edhe
Vuçiqi komunikoi me banorët e Banjës përmes telefonit
Ndërkohë, për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhënia e lejes për Vuçiqin nga qeveria e Kosovës është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Visar Ymeri, nga Partia Social-Demokrate, vizitën e presidentit serb e ka quajtur defilim për të demarkuar terrenin e tij të ri.
Reagime për anulimin e vizitës së presidentit serb, në Banjë të Skenderajt, pati edhe nga politikanë serbë, të cilët e kanë quajtur vendim të autoriteteve kukulla të Prishtinës.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, tha se ngjarjet në Kosovë tregojnë kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e situatës.
Ajo ka thënë se përfaqësuesit e shqiptarëve në Kosovë janë të padurueshëm, të papërgjegjshëm, të paparashikueshëm dhe nuk respektojnë marrëveshjet.
Dështim të qeverisë së Prishtinës dhe një fitore e madhe e Serbisë në aspektin diplomatik e ka quajtur ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, vizitën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Kosovë.