Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se është me rëndësi që Qeveria të reflektojë në raport me buxhetimin e Ligjit të Pagave, e të vendoset vija buxhetore për këtë. Ai thotë se ka frikë se nëse nuk bëhet atëherë vitin e ardhshëm mund të mos hyjë fare Ligji i Pagave.
“Është me rëndësi që Qeveria të reflektojë në raport me buxhetimin e Ligjit të Pagave, me vendosjen e vijës buxhetore për Ligjin e Pagave, pasi jemi të bindur se nëse kjo vijë buxhetore nuk do të jetë në Ligjin e Buxhetit, atëherë Qeveria nuk do të jetë në gjendje ta jetësojë Ligjin e Pagave në vitin 2022, apo mund ta bëjë vetëm në fund të vitit, pasi rishikimi i buxhetit ndodh në shtator”, ka thënë Tahiri në konferencë për mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. “Lusim Qeverinë e Kosovës të refektojë në lidhje me amandamentimin për Ligjin e Pagave që e kam prezantuar në emër të grupit parlamentar e të votohet”.
Tahiri ka folur edhe për krizën energjetike, ai ka thënë se Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar energji e jo të jap këshilla si të kursehet energjia.
“Siç e dini sot fatëkeqësisht Kosova mbeti në terr dhe kur për herë të parë pati një vizitë të një presidenti të një vendi mik siç është Maqedonia. Të lihen anash retorikat me na mësuar si të kursehet rryma, pasi secili prej nesh e mban mend kohën kur na thonin prindërit nalne dritën, nale bojlerin, nale plloqën. Me ardh me u kthy në atë kohë është marre”, tha Tahiri.
Ai ka folur edhe për vendimin e Kushtetueses për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Edhe
Tahiri: Qeveria qëllimisht s’po e sjell në Kuvend Ligjin për Pagat
Më 30 qershor 2021, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë anëtarëve të këtij Këshilli.
“Çështje tjetër që e diskutova në kryesi e dua me trajtuar para ju media është lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi një vendim të nisur në qershor të këtij viti në Kuvend. Më 1 qershor në Komision u thash kolegëve të mi deputet, se janë gabim. Sot jemi para një vendimi të prerë të Kushtetueses ku thuhet se Kuvendi e ka shkelur Kushtetutën. A është mjaftueshëm kjo që Qeveria të reflektojë seriozisht, që kryeministri Kurti të reflektojë seriozisht për gjendjen që është, jo që e ka pru, pasi është vetëm nëntë muaj, por gjendjen që ai është dhe gjendjen që e ka proklamuar ndryshe”, ka thënë Tahiri.