Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Qeveria qëllimisht s’po e sjell në Kuvend Ligjin për Pagat

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria qëllimisht nuk po e dërgon Ligjin për Pagat në Kuvend, në mënyrë që sipas tij, ai të mos hyjë në zbatim në fillim të vitit të ardhshëm.

Tahiri ka thënë të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se me dinamikën aktuale, Ligji për Pagat nuk do të hyjë në fuqi as në janar të vitit 2024.

“Ajo që dua të theksoj e që po ashtu këtë diskutim e ngrita ka të bëjë me ligjet vitale të cilat nuk janë duke ardhur në Kuvend dhe njëri nga ta është Ligji i Pagave i cili po shtyhet me të vetmin qëllim që të mos hyjë në zbatim në janar të vitit të ardhshëm. Shihet qartë që Qeveria ka dështuar dhe Ligji i Pagave jo në janar të vitit 2023, por me këtë dinamikë nuk do të hyjë në zbatim as më 1 janar të vitit 2024”, ka thënë Tahiri.

Ligji për Pagat ka qenë një nga kërkesat kryesore në grevën e punonjësve publikë që u mbajt nga 25 gushti e deri më 3 tetor.

Diskutimi publik për projektligjin ka përfunduar që disa ditë.