Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja për Ligjin e Pagave dhe të Zyrtarëve Publikë: Rrezikojnë të rrëzohen nga Kushtetuesja

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar se Ligji i Pagave dhe Ligji për Zyrtarët Publikë mund të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese nëse miratohen në Kuvend me nene që janë prezantuar nga Qeveria.

“Ligji i Pagave duhet të hyjë në fuqi më së largu deri me 1 shkurt të vitit të ardhshëm, që nënkupton që procedurat në Kuvendin e Kosovës të përfundojnë sa më shpejt që është e mundshme. Koeficienti duhet të jetë 129 euro, vlerë kjo e cila do të mundësojë që pagat në shumicën e sektorëve, të kenë rritje në bazë të ligjit qe ne e kemi pas, për shkak se shumica e pagave, përveç gjyqësorit, është më e ultë, pra vlera prej 129 euro është vlera që duhet të jetë”, ka thënë Tahiri në konferencë për media të mërkurën.

Tahiri ka thënë se këtë do ta propozojnë me anë të një amendamenti për këtë Ligj. Ai ka thënë se AAK-ja nuk do të mbështet as një nen të këtij Ligji që potencialisht mund të paraqesin rrezik për rrëzim nga Kushtetuesja.

“Nuk duam lojë dhe nuk do të mbështesim asnjë nen që potencialisht e rrezikon këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese, e kjo lidhet po ashtu edhe me parashikueshmërinë e pagës”, ka theksuar Tahiri.

Për Ligjin e Zyrtarëve Publikë, deputeti i AAK-së ka theksuar se janë tri çështje të rëndësishme që duhet diskutuara para miratimit.

“Nëse pozitat e larta në administratë shtetërore do të kthehen me mandat, atëherë unë jam i bindur që kushdo që e çon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj do të bie. Nenet që e rrezikojnë meritokracinë dhe ngritjen në karrierë të zyrtarëve publikë mund të shkaktojnë rrëzim në Kushtetuese. Dallimet mes ministrive gjithashtu janë një problem. Nuk mund të ketë një ministri fuqi dhe status të veçantë se një ministri tjetër, sepse ministritë themelohen me mandat të kryeministrit”, vijoi ai.