Me një krah pankartash që mbanin vetëm një mbishkrim në të, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, u fut në sallën e seancave të Kuvendit.
Me pyetjen që e vendosi para foltores e mbi karrigen e kryeministrit, Tahiri kërkonte përgjegjësi prej Qeverisë për mosprocedimin e Ligjit të pagave në Kuvendin e Kosovës.
“Ky është një aktivitet simbolik për të ngritur një çështje të cilën e kemi ngritur gjatë dhe e cila lidhet jo me një zotim dhe me një premtim timin, por lidhet me një qëndrim të Qeverisë Kurti, të ministrit Sveçla, i cili në këtë foltore ka thënë që më 31 mars do ta procedojë Ligjin e pagave në Kuvend. Prej këtu i kam thënë mos u ngut se nuk është lehtë. Pyetja ime është shumë e thjeshtë për Qeverinë: Ku është Ligji i pagave?”, tha Tahiri.
Të mos ngutej u kërkua edhe prej Tahirit, meqë dita e 31 marsit sipas kryetarit Glauk Konjufca kishte kohë që të përfundonte.
“31 mars është data, edhe 13 orë i kanë kohë”, tha me shaka Konjufca.
Pyetja e Tahirit u kontestua nga deputetët e pushtetit për mungesë pikëpyetjeje.
Në këtë seancë, që ishte vazhdim i asaj që kishte nisur më 28 mars, deputetët miratuan në parim projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe atë për Pronën Publike.
Ndërsa në lexim të dytë u miratua Projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe ai për çështjet penale.
Mes të tjerash, deputetët shqyrtuan edhe rekomandimet për raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit, rekomandime këto të cilat ministrja e Arsimit tha se janë duke i përmbushur.
Kësisoj, ajo përmendi edhe ndalimin e pagesave për zyrtarët serbë të cilët që nga 2016-ta janë paguar vazhdimisht pa dalë në punë.
“Sa u përket disa çështjeve, si për shembull pagesa e 32 zyrtarëve të komunitetit serb si zyrtarë të ish “mbrojtjes civile” me vlerë 135 mijë e 760 euro ashtu siç jeni në njohuri janë ndaluar pagesat për këta zyrtarë dhe të gjithë janë lajmëruar tashmë në Ministri të Arsimit dhe kanë thënë që gjatë gjithë këtyre viteve askush asnjëherë nuk i ka kontaktuar dhe nuk ka kërkuar asnjë punë dhe përgjegjësi nga ta”, u shpreh Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit.
Deputetët kanë miratuar këtë raport të auditorit, bashkë me raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Infrastrukturën Kritike.
Por ka dështuar zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore.