Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja – Qeverisë: Ku është Ligji i Pagave?

Pagat

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të enjten ka pyetur Qeverinë e Kosovës për Ligjin e Pagave.

Ka thënë se Qeveria ka premtuar se Ligji i pagave do të procedohet në Kuvend deri në fund të marsit, por nuk ka ndodhur kjo.

“Pyetja e parë është: ‘Ku është Ligji i Pagave?’ Ku jeni fshehur me këtë ligj. Ku është procesi i punës për finalizimin e Ligjit, pse na keni thënë se ligji bëhet në mars, a ka qenë në atë kohë vetëm sa me i mashtruar shërbyesit civilë, sindikatat apo është pazotësi e juaj se nuk dini me bë ligjin. Nuk është obsesioni as i imi personal e as i AAK-së, është obligim që duhet ta kemi si deputetë e përfaqësues të popullit”, ka thënë Tahiri. “Është me rëndësi të flitet sinqertë. Është normale nëse kryeministri e ministri të thonë se s’kemi mundur se kemi pasur tema serioze, përgjegjësi të rënda, kemi pasur probleme, apo se nuk kemi ditur me bë. Është e pafalshme që një Qeveri që ka 50 për qind, të cilën e ka votuar çdo i dyti qytetarë i këtij vendi, të ikë e të fshihet”.

Tahiri ka thënë po ashtu se AAK-ja përkrah nismën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, për një tërheqje tjetër nga Trusti pensional. Ai ka thënë se Qeveria po del e po mburret me rritje prej 10 për qind të ekonomisë, porse kjo nuk po vërehet në buxhetin e qytetarëve.

Ndërkohë po ashtu ka folur edhe për rritjen e çmimeve, duke u përqëndruar te çmimi i derivateve, që u raportua se ka shkuar deri 1.69 euro për litër.

“Pse nuk po funksionalizohet Autoriteti i Konkurrencës që e ka detyrë të merret me këtë temë. A është mosdije, mosguxim i veprimit, apo ka të bëjë me ndonjë aferë korruptive. Duhet të përgjigjen shumica parlamentare”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket tërheqjes nga Trusti ai ka thënë se qytetarët duhet ndihmuar.

“Kemi krizë serioze ekonomike, krizë serioze qytetare që duhet adresuar. Në një gjendje të jashtëzakonshme, Qeveria po sillet si në gjendje të zakonshme. Mekanizëm për t’iu adresuar kësaj krize mund të jetë Trusti. Është fond i qytetarëve të punësuar, të cilin e shfrytëzojnë pasi të mbushin 65 vjet. Nëse duam të tëhiqet, mund të bëjmë skemë të rritet kontributi edhe për 1 për qind, 2 për qind apo 0.5 për qind. Por nuk bëhet me këta njerëz. Këta të lodhin duke folur, janë 60 deputetë në Kuvend aty që të thonë se si janë votuar nga qytetarët e flasim se çka ka ndodhur para 20 vjetëve, por kur vjen te marrja e një vendimi merren me analiza. Janë të mirë me punu në institute të analizave, por jo për vendime”, tha Tahiri.

Image
Artikuj të ngjashëm