Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Kosova, vendi me pagat më të ulëta dhe çmimet më të larta të rrymës

Besnik Tahiri - AAK

Shefi i Grupi Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, derisa ka pyetur për “qeverisjen e mirë”, ka përmendur disa nga të paarriturat e kësaj qeverie përgjatë tri vjetëve.

Ai ka thënë se Kosova është vendi që ka pagat më të ulëta dhe çmimet më të larta të energjisë elektrike.

“Vendi me pensione të nivelit të asistencës sociale; Vendi me pagën minimale më të ulët (170) euro në rajon, e që nuk ka fuqi punëmarrëse në treg; Vendi ku investimet kapitale prej buxhetit të shtetit me rreth 60% janë orientuar në 4 komuna të partisë në pushtet, të cilat mbulojnë vetëm 15% të territorit dhe 12% të popullsisë; Vendi i vetëm në rajon ku qytetarët ende nuk kanë sigurim shëndetësor; Ku niveli i arritshmërisë sipas PISA është më i ulëti në rajon; Ku nuk është realizuar asnjë projekt dhe investim i huaj strategjik; Ku lidershipi shpenzon tri vite vendnumëro në rrafshin ndërkombëtar dhe në dialog, e kauzë politike e ka pasur platformën 'Jo-Negociata’; Ku sanksionet dhe heqja e vizave janë ende kryefjala në Qeveri”, ka shkruar ai.

Këto fjalë ai i ka shkruar pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Deputetja e parlamentit evropian, Viola von Cramon, ju dëgjoi mbrëmë në takim, ndoshta edhe e ka pa kumtesën për media nga kryeministria, por mos harroni, ajo ka shumë informata, dhe nuk i blenë këto fraza koti”, ka shkruar ai.