Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

AAK: Ekonomia, buzë kolapsit, mos guxoni ta shtrenjtoni energjinë elektrike

Besnik Tahiri

Një rritje e radhës e çmimit të rrymës do ta fundoste ekonominë e vendit, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë një konference ku ka folur lidhur me gjendjen ekonomike në vend, Tahiri ka kërkuar nga ekzekutivi që të ndërmarrë masa edhe për uljen e çmimit të naftës

“Mos guxoni ta rrisni çmimin e rrymës”, është porosia që deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ia ka drejtuar Qeverisë. 

Në një konferencë të mbajtur të dielën, Tahiri ka thënë se ekonomia e vendit është buzë kolapsit dhe se kjo gjendje është shkaktuar edhe nga keqmenaxhimi i sektorit të energjisë në 5 vitet e fundit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E ftojmë Qeverinë e Kosovës të mos guxojë ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. I themi ZRRE-së që ju jeni të emëruar prej Qeverisë, prej kësaj shumice: nuk mund ta rrisni për 21% tarifën e energjisë elektrike për shkak se kjo e bankroton shtetin. A krijoni prodhim më të madh, a subvencionin, a blini – ky është problemi juaj. Ju nuk guxoni ta rrisni çmimin e energjisë elektrike për shkak se kjo do ta fundosë ekonominë e Kosovës, do ta fundosë prodhimin”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se situatën e ka rënduar edhe çmimi i lartë i naftës, i cili u rrit ndjeshëm pas fillimit të luftës SHBA, Izrael kundër Iranit. 

Sipas tij, Qeveria përmes uljes së akcizës dhe TVSH-së mund ta zbresë çmimin e naftës. 

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka theksuar se ky ndryshim duhet të bëhet sa më shpejtë. 

“Për AAK-në është kërkesë urgjente për qeverinë, urgjentisht qysh ka ditë t’i bëjë tenderët njëburimor - 2000 prej tyre, urgjent ta bije amendamentin në mënyrë që të ndryshohet ligji, neni që e përcakton uljen e akcizës dhe mos të bëjnë lajka. Nuk mund të niset kjo në parlament për shkak se të niset merr kohë. Është qeveria që duhet ta sjell amendamentin dhe këtu zotohemi që ne menjëherë e mbështesim si grup parlamentar në mënyrë që të vendoset saktësisht ulja e akcizës për një kohë të caktuar dhe të njëjtën kohë ulja e TVSH-së në mënyrë që të bie çmimi i naftës deri sa të stabilizohet tregu”, është shprehur ai.

Në fillimvit rritje të çmimit të rrymës kanë kërkuar Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), me kërkesat e dërguara në Zyrën e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE).

Si arsye për rritjen e kërkuar prej 20%, KESCO ka përmendur shpenzimet operative, koston e importit të energjisë, rritjen e sigurisë së furnizimit gjatë sezonit dimëror, si dhe rritjen e pagës minimale.
Në konferencë, Tahiri ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, proces që sipas tij, po bllokohet nga tendencat e Lëvizjes Vetëvendosje për të instaluar një sistem autokratik në vend, ku sipas tij, synohet të kapet çdo institucion.