Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave sa i përket personave që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës në 24 shtator të vitit të kaluar.
Ai tha se ka prova e incizime të mjaftueshme për të ngritur aktakuza.
Ministri Sveçla, derisa ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për raportin vjetor të punës 2023, tha se ky institucion qëndron mirë, derisa shtoi se në Policinë e Kosovës, investimet kapitale janë rritur, porse sipas tij, edhe procedurat janë përshpejtuar.
Pas prezantimit të raportit nga ana e ministrit, deputeti nga Vetëvendosje, Enver Dugolli ka kërkuar sqarim nga ministri Sveçla, përse nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë për rastin e Banjskës. Po ashtu ai ngriti edhe çështjen sa i përket furnizimit të njësive patrolluese me armë të gjata.
Sa i përket sulmit në Banjskë, Sveçla tha se është koha e fundit që Prokuroria të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën ta publikojë një raport përfundimtar, duke shtuar që edhe partnerët ndërkombëtar zyrtarisht të jenë të njoftuar me atë çfarë ka ndodhur në rastin e sulmit në Banjskë.
“Është fakt se policia ka ndërmarrë procesin hetimor më të madhin në historinë e saj me rastin e Banjskës, edhe për nga rëndësia, por edhe nga numri i dëshmive me të cilat është dashur që të merret apo të procedojë. Një pjesë e këtyre dëshmive tashmë janë publike, një pjesë është në duart e prokurorisë. Unë fuqishëm besoj se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën ta publikojë një raport përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmentet tjera të punës institucioneve e sidomos me diplomacinë, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtar, zyrtarisht të jenë të njoftuar me atë çfarë ka ndodhur në rastin e sulmit në Banjskë, por jo vetëm me atë çfarë ka ndodhë, por edhe me atë se çfarë është zbuluar si qëllimi i këtij grupi terrorist dhe gjithë elementeve tjera që kanë mbështet, qoftë financiarisht, me trajnime, pajisje, këtë grup terrorist që dihet tashmë, ka pas për qëllim aneksimin e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Sipas tij, parandalimi më i mirë që mos të ndodhin këso lloj sulmesh, është përndjekja e pjesëmarrësve në këtë sulm.
Mes tjerash, ai ka potencuar se vonesat dhe toleranca nga “dikush tjetër” ka trimëruar “Serbinë që të viijë deri te rasti i Banjskës”.
“Ka dëshmi më së të mjaftueshme që të ngrihet aktakuzë ndaj këtyre terroristëve. Përveç punës profesionale të PK-së, siç thotë populli, “trimit i prin edhe fati”, ne kemi pas fat. Kemi incizimin e trajnimit të këtij grupi terrorist, thellë në brendësi të Serbisë, që këtë më qëllim as shërbimet më të forta botërore nuk kishin mundur ta arrijnë. Kemi incizimin e vetë betejës, kemi identifikimin shumicës së pjesëmarrëseve, angazhimin e tyre në raste të tjera. Parandalimi më i mirë që mos të ndodhin sulme të këtilla është përndjekja e atyre të cilët kanë qenë pjesëmarrës në këtë sulm. Kemi rastin e tre policëve të kidnapuar brenda në territorin e Kosovës, po të kishte pasur reagim tjetër të të gjithë akterëve për këtë, besoj që edhe vetë Serbia do të ishte më e rezervuar për të vazhduar me sulme ndaj Kosovës. Por, vonesat tona, toleranca nga dikush tjetër, i ka trimëruar ata me ardhur deri te rasti Banjskës. Mund të pajtohemi që kjo mos të jetë rasti fundit, por prej Serbisë pritet çdo gjë, ata as nuk kanë ndërruar politikisht, por as me veprimet e tyre. Prandaj, është shumë me rendësi që si masë preventive të ndërmerren gjitha hapat e nevojshëm që këta terrorist të vihen para drejtësisë”, shtoi Sveçla.
Ndërkaq, sa i përket armëve të gjata, ai tha se janë në proces, dhe se të gjitha patrullat do të pajisjen me to.
“Jam i bindur, se është vendim i drejtë që gjitha patrullat e policisë tash e tutje të jenë të pajisur me armë të gjata. Kjo nuk do të thotë që publiku t’i shohë në vazhdimësi patrullat e policisë me armë të gjata, por ata do t’i kenë me vete në dispozicion në rast nevoje, për t’i përdorur gjithmonë sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi. Tashmë patjetër që jemi në proces, të gjitha patrullat do të kenë armë të gjata. Ka qenë pak e çuditshme për mua se si më herët nuk kanë pas gjithë zyrtarët certifikim për përdorim për armë të gjata, të gjithë ne i jemi fut këtij procesi dhe të gjithë zyrtarët policorë, ashtu siç janë të trajnuar për përdorim të armeve personale të shkurta, do të jenë të trajnuar edhe për përdorimin e armeve të gjata që kanë në dispozicion”, shtoi Sveçla.
Ndërsa, deputeti nga PDK, Rashit Qalaj, është shprehur i shqetësuar lidhur me situatën në trafik. Ai ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për objektivat e parapara që nuk ka arritur t’i realizojë. Po ashtu edhe autoshkollat, që sipas tij, duhet të kenë një qasje më strikte.
Ndërsa, ka thënë edhe se koeficienti pagës për zjarrfikësit ende nuk është rregulluar.
“Kam kuptuar që këto ditë që në kuadër të komunave, aty ku ka udhëheqës ndërrimi që janë zjarrfikës, koeficienti nuk i është rregulluar ende, edhe pse është paraparë në kuadër të programit, kanë mbet të njëjtat”, tha Qalaj.
Për këtë, Sveçla tha se do të menaxhohen e paguhen nga niveli qendror.
Ai po ashtu tha se janë duke i shqyrtuar me Sindikatën e Policisë, kërkesat e tyre, porse ka ritheksuar se jo të gjithë kërkesat e tyre mund të jenë të plotësueshme për shkak që barra financiare ua pamundëson këtë.
“Për çdo angazhim të tyre ata marrin kompensimin e duhur. Në kuadër të ligjit për paga janë paraparë klasifikimet e duhura për secilin profesion. Aty është gjetur edhe PK, e cila ka pas rritje të pagës bazë, dhe po ashtu është marrë vendimi për sigurimin e të ardhurave shtesë të cilat kanë të bëjnë me rrezikshmërinë. Çështja se sa kush merr, është çështje e këtij vendimi për përftimet e shtesave për kushte specifike të punës, mund të ketë pakënaqësi, dhe të gjitha këto ne jemi duke i adresuar me sindikatën e PK-së, me të cilën kemi takime të rregullta dhe mundohemi që të gjitha pretendimet t’i sqarojmë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha kërkesat është e mundshme t’i përmbushim, mos të harrojmë se Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin, që është i jashtëzakonshëm”, tha Sveçla.
Ndërkaq, kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, ka pyetur nëse MB-ja ka ndonjë iniciativë që policisë t’i shtohet ndonjë privilegj tjetër, po ashtu edhe sa i përket emergjencave.
Për këtë, ministri Sveçla tha se janë duke diskutuar me sindikatën e policisë për një serë hapash në aspektin e privilegjeve sa i përket këtij institucioni./KSP