Sveçla ka deklaruar të hënën se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë nuk do të ndodhte nëse prokurori do të vepronte pas kidnapimit të tre policëve kosovarë në kufi me Serbinë. Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të fillojë me ngritjen e aktakuzave ndaj sulmuesve në Banjskë të Zveçanit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vazhduar me kritika ndaj Prokurorisë për siç ka thënë ai, mosndërmarrje të veprimeve ndaj autorëve të sulmeve dhe incidenteve në veri të vendit.
Në Komisionin parlamentar për Siguri, Sveçla ka deklaruar të hënën se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë nuk do të ndodhte nëse prokurori do të vepronte pas kidnapimit të tre policëve kosovarë në kufi me Serbinë.
Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të fillojë me ngritjen e aktakuzave ndaj sulmuesve në Banjskë të Zveçanit.
“Unë fuqishëm besoj se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën një raporti përfundimtar. Duke qenë se siguria patjetër është e lidhur edhe me segmentet e tjera të punës së institucioneve, e sidomos me diplomacinë, është e duhur që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, zyrtarisht të jenë të njoftuar me atë çfarë ka ndodhur në rastin e sulmit në Banjskë”, ka thënë Sveçla.
Në fakt, edhe në shumë raste të tjera gjyqësori është kritikuar nga Qeveria, por shpesh edhe ka marrë kundërpërgjigje “se nuk i takon të përzihet në këto punë”.
Para ligjvënësve, Sveçla ka folur edhe për pagat e policëve.
Përkundër pakënaqësive që kanë shprehur pjesëtarët policorë, Sveçla ka vlerësuar se ata kanë përfituar rritje page me Ligjin e ri.
“Mos të harrojmë se Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe Evropë dhe kërkesat të cilat mund të duken të drejta duhet të shihen se në çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por realisht që të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin, që është i jashtëzakonshëm”, është shprehur ai.
Sipas tij, pakënaqësitë e tyre janë duke i adresuar edhe me Sindikatën e Policisë së Kosovës, me të cilën ka thënë se kanë takime të rregullta.
Në raportim e tij, Sveçla ka deklaruar se të gjithë policët e njësive patrulluese do të pajisjen me armë të gjata, që së fundi janë blerë nga Kroacia.