Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Suspendohet polici që shau pasi ia larguan flamujt dhe fotografinë e Adem Jasharit

Policia ka suspenduar një zyrtar policor në Magurë të Lipjanit, me arsyetimin se është përfshirë në një incident. Por, bazuar në deklaratën e policit e edhe në komunikimet e zhvilluara në një grup Viberi, masa është ndërmarrë pasi ai shau, kur pa se nga hapësira e brendshme në stacionin policor u hoq flamuri shtetëror e ai kombëtar, bashkë me fotografinë e Adem Jasharit.

E shara që e ka shkruar në një grup në Viber, ku komunikojnë policë të Stacionit në Magurë të Lipjanit, i ka kushtuar me suspendim nga puna zyrtarit policor, Zymer Kodra.

Incidenti nisi kur Kodra vendosi në një zyrë të stacionit flamurin shtetëror dhe atë kombëtar, e në mes të tyre edhe fotografinë e komandantit Adem Jashari.

Por, nuk qëndruan gjatë aty.

Në grupin në Viber ku janë 15 zyrtarë policorë, Kodra përdori të shara, kur pyeti se kush i hoqi flamujt dhe fotografinë.

Një nga kolegët iu kundërpërgjigj, duke i thënë se ai i kishte hequr dhe duke e paralajmëruar se do ta raportojë sharjen.

Edhe Policia largon nga puna një toger, thotë se ndaj tij ishin iniciuar 15 raste për shkelje disiplinore Kronikë Policia largon nga puna një toger, thotë se ndaj tij ishin iniciuar 15 raste për shkelje disiplinore

KOHA ka siguruar vendimin e Policisë për suspendimin e Kodrës, por në të cilin nuk përmendet rrethana që ka çuar në shqiptimin e masës.

“Dyshohet se punonjësi i Policisë së Kosovës është përfshirë në incidentin që paraqet shkelje të rëndë disiplinore apo vepër penale dhe duke u mbështetur në interesin e Policisë, punonjësi i cekur në vendim suspendohet përkohësisht nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore në afat prej tre ditësh”, thuhet në vendim.

Por, Kodra tha se u suspendua për gjuhën që përdori në grupin në Viber, pasi pa që ishin hequr nga hapësira e brendshme e stacionit flamuri shtetëror e ai kombëtar, bashkë me fotografinë e Adem Jasharit.

“Më falni, por nuk mund të prononcohem, sepse jam i suspenduar dhe janë disa procedura të tjera... Aktualisht jam emocionalisht i thyer shumë, por në fakt gjithçka lidhet me vendosjen e flamujve. Aty ka filluar gjithçka”, deklaroi Kodra.

Edhe IPK-ja rekomandon suspendimin e një rreshteri dhe një togeri në dy raste të ndara Arbëri IPK-ja rekomandon suspendimin e një rreshteri dhe një togeri në dy raste të ndara

Gjatë së premtes, Policia nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë rast.

E, bazuar në vendimin për suspendim, Kodra është obliguar ta dorëzojë kartelën identifikuese, armën zyrtare dhe pajisjet policore. Krahas kësaj, i është kufizuar edhe hyrja në objekt dhe në automjetet zyrtare të Policisë.