Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Suspendohen 5 policë, dyshohet se abuzuan me një pjesëtar të komunitetit LGBT

Pesë zyrtarë policorë janë suspenduar nga puna, pasi akuzohen se kanë abuzuar me një person të komunitetit LGBT.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet menjëherë pas publikimit të një videoje në portalin “Kallxo.com”, ku dëgjohen policët duke abuzuar me personin në fjalë, raporton KTV.

Hetimet kanë filluar me dyshimin se zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

IPK-ja gjatë hetimit preliminar, ka identifikuar pesë zyrtarë policorë që dyshohen për këtë rast, të cilët po ashtu nuk kishin hapur rast lidhur me deklarimin e ankuesit për kanosje.

Lidhur me këtë rast, është kontaktuar edhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe me rekomandimin e të njëjtit, ky rast do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Dy persona të cilët ishin ndaluar nga ana e Policisë së Kosovës, siç shihet dhe dëgjohet në video, kishin pasur një mosmarrëveshje mes vete, e cila kishte eskaluar në kanosje me thikë.