Publicisti Veton Surroi e ka cilësuar të gabuar, në kohë të gabuar dhe me përmbajtje të gabuar, letrën që ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, drejtuar Këshillit të Evropës, pak para Komitetit të Ministrave të Jashtëm, me zotimin se së shpejti Kosova do ta bëjë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
“Letra e dërguar nga MPJ-ja mendoj se ka pasur shkarje të mëdha që nga adresimi tek kush është dërguar deri te formulimet, e deri te mënyra, koha, do të thotë ka qenë letra e gabuar në kohë të gabuar me përmbajtje të gabuar. Po them e gabuar. Nuk është dashur të ndodhë. Akt që ka ndodhur dhe tash i ka reperkusionet e veta. Ato kanë të bëjnë me perceptimin që kanë palët ndaj veprimeve që i bën Kosova. Tash duhet të merremi edhe me perceptimet për këto veprime. Ky problem nuk zhduket nga vetvetja”, ka thënë ai.
Sipas tij, forma më e duhur ka qenë që presidentja ta çonte draftin e propozuar nga Bashkimi Evropian në Kushtetuese si përgjigje ndaj veprimeve për zbatim apo jo të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Brenda Rregullores së Gjykatës Kushtetuese ekziston një detyrim që palët t’i përgjigjen gjykatës mbi zbatueshmërinë e vendimeve. Meqenëse vendimi i 2015-s nuk është zbatuar e deri tash ka pasur proces negociator, ka ekzistuar forma e atillë e korrespodencës që do ta fuste brenda një kanali zyrtar komunikimin lidhur me këtë çështje. Kjo do të nënkuptonte që Gjykata të vlerësonte a është apo jo në përputhje me aktgjykimin e 2015-s. Mendova se kjo ishte forma më e mirë e s’është vetëm mendimi im personal, por jam konsultuar edhe me sfera të tjera, përfshirë ato diplomatike. Po të ndërmerrej ky veprim besoj se sot do të ishim anëtar të KiE-së”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Surroi ka shtuar se zhvillimet janë dramatike dhe se ajo që duhet të kuptohet është se drafti i Asociacionit nuk është shkëputur prej një procesi tjetër, por është në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë.
“Emërtuesi i përbashkët i procesit negociator është që Serbia ta trajtojë Kosovën si tërësi të barabartë ndaj vetvetes. Ta trajtoj si shtet që ndonëse në perceptimin e vet nuk është i pavarur, është sovran, funksional, përfshin tërë territorin e vet dhe kjo nuk ka ndodhur. Kjo nuk i heq nga tavolina obligimet që i ka Kosova ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Çështja e draftstatutit të Asociacionit trajtohet karshi Serbisë, relacionit tonë me të, relacionit tonë me bashkësinë ndërkombëtare dhe karshi funksionalitetit të shtetit tonë sepse draftstatuti i Asociacionit i implementuar kështu siç është do të krijonte disbalance kushtetuese brenda sistemit tonë dhe kjo nënkupton një analizë të hollësishme se çka janë ato të drejta që duhet të nivelizohen”, ka thënë ai.
Surroi ka deklaruar se çështja e Asociacionit është kushtëzuese. Sipas tij, kjo pikë është pjesë e një marrëveshjeje që duhet të zbatohet në tërësi.
“Tërësia nënkupton që Kosova e Serbia të jenë dy shtete të barabarta që vendosin marrëdhënie normale mes vete. Kjo është pakoja. Brenda pakos ekziston një drafstatut që thotë se Kosova duhet pos të drejtave që i ka të garantuara me kushtetutë të krijojë strukturë shtesë për të drejtat suplementare për komunitetin serb. Drafti si i tillë s’do të thotë formulim juridik-kushtetues. Nënkupton propozim politik që duhet të trajtohet brenda sistemit politik, juridik, kushtetues të Kosovës. Sistemi politik nënkupton debat parlamentar mes partive politike, ai kushtetues nënkupton Gjykatën Kushtetuese. Trajtimi juridik nënkupton ndryshimin eventual të ligjeve, gjegjësisht Kushtetutës”, ka thënë ai. “Janë tri shtylla. Pra nuk ekziston një automatizëm mes draftit dhe implementimit. Janë tri shtylla të tjera të trajtimit të këtij problemi apo iniciative, por kjo si e tillë mund të trajtohet, zhvillohet vetëm në rastin e ekzistimit të marrëdhënieve të barabarta mes Kosovës dhe Serbisë”.
Surroi ka deklaruar se vazhdimisht një nga problemet më të mëdha sociokulturore të Jugosllavisë socialiste dhe Serbisë ka qenë perceptimi i shqiptarit vetëm si profesion.
Javë më parë, kryediplomatja Donika Gërvalla i ka dërguar letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Theodoros Rousopoulos, ku thuhej se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draftstatut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).
Surroi: Gjenerata jonë s’mund të lejojë që gjeneratat e reja ta trashëgojnë konfliktin me Serbinë
Publicisti Veton Surroi ka thënë se gjenerata që nisi lëvizjen për mëvetësinë e Kosovës nuk duhet të lejojë që gjeneratat e reja ta trashëgojnë konfliktin me Serbinë.
Surroi ka deklaruar se “problemi i konflikteve të papërfunduara është se ato nëse nuk përfundojnë krijojnë konflikte të reja”.
“E problemi i konflikteve të papërfunduara është përcaktimi i mënyrës së fundit të konfliktit. Ato që gjenerata jonë s’mund të lejojë, ne që e kemi filluar këtë lëvizje, është që gjeneratat e ardhshme ta trashëgojnë këtë konflikt. Pra ky konflikt duhet të përfundojë. Mënyra e vetme e përfundimit është barazia”, ka thënë Surroi.
Sipas tij, rajoni s’është afër një konflikti të armatosur, por afër një periudhe të tensionimit që ndërlidhet me zhvillimet në luftën në Ukrainë.
“Mund të vijë deri tek një armëpushim eventual në fund të këtij viti, ndoshta vitin e ardhshëm, por dosido forcat e Ukrainës po humbin luftën në vendin e vet e do të jetë vështirë që të ruhet ky nivel i ndarjes. Kjo do të thotë se në rast të një armëpushimi do të kemi hapësirë të konflikteve të papërfunduara që fillon në konfliktin ukraino-rus dhe që përfundon në Bosnjë e Hercegovinë. Është e tërë pjesa e pasigurisë dhe konfliktet tona të papërfunduar shndërrohen në sfida sigurie evropiane. Sa e ka dimensionin e vet frikësues e ka edhe të mirën e vet sepse më në fund duhet të trajtohet kjo çështje si e sigurisë evropiane dhe jo si asociacioni, dinari, targat jo kjo... por çështje e sigurisë evropiane”, ka thënë ai.
Surroi ka thënë se situata e komplikuar është në tërë rajonin. Ai ka deklaruar se Rusia dhe shërbëtorët e saj gjithmonë i kanë shfrytëzuar konfliktet e papërfunduara për të mbajtur tensione.
Surroi: Dy skandinavë, kandidatë për emisar të BE-së për dialogun
Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se dy skandinavë janë kandidatë për emisar të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse ai s’i tha me emër.
Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-së se njëri prej tyre i ka më të mëdha gjasat.
Njëri që i ka gjasat më të mëdha e njeh regjionin shumë mirë, ka qenë edhe në KS në një periudhë fillestare të pasluftës...S’dua të transmetoj spekulimin që më ka mbërritur mua”, ka thënë Surroi.