Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Surroi: Me zgjedhjen e nënkryetarit u konfirmua se nuk ekziston e drejta e vetos e asnjë grupi politik

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se me zgjedhjen e sotme të nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit serb është konstituuar Kuvendi.

Sipas tij me këtë akt deputetët e shumicës kanë përmbushur, pos detyrës së konstituimit, edhe  obligimin e respektit të të drejtave të një komuniteti joshumicë. 

Surroi ka thënë se ideja e vazhdimit të punëve të Kuvendit me karrige të zbrazët për përfaqësuesin nga komuniteti serb do të çonte në shkelje kushtetuese.

“Me zgjedhjen e sotme të nënkryetarit u konfirmua se nuk ekziston e drejta e vetos e asnjë grupi politik dhe se moszgjedhja e nënkryetarit serb ishte produkt i bllokimit nga shumica, jo nga komuniteti serb. Akuzat që u bënë kundër përfaqësuesve të komunitetit serb për bllokim, përfshirë ato që u dërguan si komente në Gjykatën Kushtetuese, qenë të pavenda dhe nuk kontribuan për ngritje të besimit të ndërsjellë”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Ai ka thënë se deputetët e Listës Serbe ndoqën procedurat kushtetuese, përfshirë edhe ankesën pranë Gjykatës Kushtetuese. 

Edhe Kushtetuesja nuk lejon veto për Listën Serbe Arbëri Kushtetuesja nuk lejon veto për Listën Serbe

“Lista Serbe sot deklaroi se janë shkelur Kushtetuta dhe aktgjykimi i Kushtetueses me rastin e votimit të sotëm dhe si argument jep tekstin e ankesës së bërë rreth kësaj çështje : ‘[...] fituesi i zgjedhjeve nga radha e komunitetit serb duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin për komunitetin serb, ashtu siç fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kryetarin e Kuvendit nga radha e komunitetit shqiptar’”, ka shkruar ai duke cituar ankesën e Listës Serbe.

“Ky argument është i gabueshëm dhe një lexim më i kujdesshëm i Kushtetutës e i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese tregon se nuk ka ‘fitues të zgjedhjeve’ dhe nuk ka ‘të drejtë ekskluzive’. Nuk ekziston monopoli i përfaqësimit të serbëve, siç nuk ekziston monopoli i përfaqësimit të asnjë komuniteti në Kosovë”, ka shkruar tutje Surroi.