Publicisti Veton Surroi, në një bisedë me Natasha Kandiqin në podcastin PIKË, ka thënë se skenari më optimist për Kosovën deri në vitin 2030 është të bëhet pjesë e një ombrelle sigurie evropiane dhe euroatlantike që mbulon të gjithë rajonin, si garanci për paqe të qëndrueshme.
Sipas Surroit, siguria nuk duhet të përkufizohet thjesht si mungesë e luftës.
“Duhet të mbërrijmë në një periudhë kur nuk jetojmë vetëm në mungesë lufte, por në paqe të mirëfilltë”, ka thënë ai.
Për të, problemi më i madh në rajon nuk është përdorimi aktual i forcës, por fakti që ideja e luftës është ende e pranishme në mendimin kolektiv të njerëzve.
“Ne duhet ta eliminojmë këtë realitet nga mendjet tona”, u shpreh Surroi.
Surroi shtoi se përballja me të kaluarën, ndërtimi i marrëdhënieve të ndershme ndërmjet shteteve dhe bashkëpunimi ekonomik janë thelbësore për paqen. Por paralajmëroi se ky bashkëpunim ekonomik nuk mund të zëvendësojë proceset e pazgjidhura politike e historike.
“Gjithmonë thuhet se bashkëpunimi ekonomik do ta zgjidhë gjithçka – por kjo nuk ka ndodhur kurrë në 30 vjetët e fundit”, ka thënë ai.
Nëse situata mbetet e pandryshuar, paralajmëroi ai, atëherë edhe nëse Kosova përparon ekonomikisht, do të mbetet e bllokuar në një konflikt të papërfunduar, duke rrezikuar stabilitetin e saj dhe të rajonit.
Në pyetjen e Kandiqit nëse ekziston rrezik real për luftë në Bosnjë ose në Kosovë, Surroi theksoi se rreziku më i madh është vetë pranimi i luftës si mundësi: “Tani, lufta është një mundësi. Dhe kjo është ajo që duhet ndryshuar”.
