Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Supremja për vendimin rreth pensioneve: Përgjegjësinë për zbatim e kanë institucionet ekzekutive

Pensione

Gjykata Supreme nëpërmjet një sqarimi ka thënë se zbatimi i vendimit për mosparaqitjen e disa kategorive të pensionistëve për të dëshmuar se janë gjallë, është përgjegjësi e institucioneve ekzekutive.

Një muaj më herët, Supremja vendosi që disa paragrafë të një udhëzuesi për paraqitjen e pensionistëve tek autoritetet për të dëshmuar se janë gjallë, bien ndesh me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Me vendim të Supremes u liruan nga paraqitja disa kategori, ndërsa paraqitja çdo gjashtë muaj mbetet obligative për ata që marrin pensione bazike të moshës dhe ata që marrin pensione të parakohshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më 16 janar, KOHA raportoi se pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, të gjithë pensionistët detyroheshin të dëshmonin se janë gjallë. E tek më 19 janar, Ministria e Financës, Punës dhe Transfereve doli me njoftim se obligimi nuk është për të gjithë pensionistët, por vetëm për dy kategoritë.

Supremja ka njoftuar të martën se vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë dhe ka marrë efekt të plotë juridik pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

“Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme”, thuhet në sqarim të Supremes.