Më shumë se një muaj pas aktgjykimit të Supremes, me të cilin u shfuqizuan pjesë të udhëzimit administrativ, pensionistët përballen me detyrimin për lajmërim çdo 6 muaj, për të dëshmuar se janë gjallë. Ligji në fuqi i obligon në lajmërim dy kategori pensionistësh, e Supremja e largoi këtë detyrim për të gjithë përfituesit e tjerë të pensioneve. Megjithëkëtë, pensionistët detyrohen t’ia dëshmojnë shtetit se janë gjallë
Ka më shumë se një muaj qëkur Gjykata Supreme i liroi personat që marrin pension kontributpagues të moshës, atë invalidor, të paaftësisë së përhershme si dhe atë familjar nga obligimi për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj në Departamentin e Pensioneve për të dëshmuar se janë gjallë.
Pas rrëzimit nga Supremja të disa neneve të udhëzimit administrativ, që i përfshinte të gjitha kategoritë, obligimi për paraqitje, sipas Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, u mbetet veç atyre që marrin pension bazik të moshës dhe atë të parakohshëm.
Por, në terren ndryshimi nuk vërehet. Të gjithë pensionistët ende lajmërohen në zyra të Departamentit Pensional dhe aty u caktohet edhe termini i radhës për paraqitje.
“Po po, ma cekën, po. Pas gjashtë muajsh në qershor”, ka thënë Nurije Berisha-Prekaj.
“Me një komshi (v.j me të cilin kam folur më ka treguar se) është lajmëruar dhe i kanë thënë se ende nuk i ka ardhur me shkresë ky ligji që s’ka nevojë më të lajmërohet. E tash se sa do të zgjatë e a do të aprovohet ajo apo si, meqë po thonë se gjykata e ka pranuar atë tash se si do të bëjnë këta nuk e di unë. Ma merr mendja se diçka duhet të ndryshojë, por është neglizhencë e madhe këtu. Këtu i mjeri ai që vjen”, ka thënë Fadil Ramadani.
“Po, po punojnë normalisht si më herët. Kur të vdesë pacienti, një kopje e raportit të mjekut i shkon Financave dhe ai (v.j pacienti) shlyhet automatikisht, por në qoftë se është puna që të punësohen dy vetë ai është tjetër problem. E në fakt, fare nuk është e nevojshme kjo...” ka shtuar Halil Doda.
Për këtë situatë vërejtje ka shprehur, sekretari i Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, Osman Vitia.
“Dihet aktgjykimi i gjykatës, por nuk është duke u zbatuar. Referenca e këtyre në zyra të pensioneve, na thonë që duhet të lajmëroheni deri sa të na vijë vendimi. Ende thonë se nuk kemi vendim, prandaj na duhet të lajmërohemi”, ka thënë Vitia.
Te Avokati i Popullit kanë thënë se nuk kanë informata se si po zbatohet aktgjykimi i Supremes teksa bënë thirrje që Ministria e Financave të dalë me sqarim. Në këtë institucion, që prej 2016-s i ka dhënë vërejtje shtetit lidhur me këtë.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar raport me rekomandime, ku është konstatuar se detyrimi për paraqitje çdo gjashtë muaj cenon dinjitetin e pensionistëve. Në këtë raport, Avokati i Popullit i kishte rekomanduar atëherë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale, që të ndryshojë dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, që obligojnë paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj dhe të funksionalizojë burimet e saj verifikuese në raport me statusin e pensionistëve”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
E avokati Muhamet Mujaj, që e fitoi padinë në Supreme, ka thënë se zyrtarë në Departamentin e Pensioneve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave, ende nuk janë vetëdijesuar mjaftueshëm për zbatimin e aktgjykimit.
“Ka raste që janë vetëdijesuar e nuk po e praktikojnë t’i thërrasin në obligime të lajmërimit. Nëse vazhdohet me moszbatim, moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale”, ka deklaruar Mujaj.
Në Ministrinë e Financave nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS lidhur me çështjen. E, megjithëqë pensionistët deklaruan se zyrtarë të ministrisë u thanë që nuk e pranuan vendimin nga Supremja, të kundërtën e thanë në Gjykatë.
Zëdhënësja Antigona Uka-Lutfiu tha që pos që iu dorëzua palëve, dokumenti u publikua në Gazetën Zyrtare.