Mosparaqitja për nëntë muaj në Zyrën e Pensioneve u kushton të moshuarve edhe me humbjen e pensioneve për këtë periudhë. Teksa Ligji parashikon vetëm pezullim të përkohshëm, atyre pagesat iu ndaluan.
Pensionisti Bajram Maloku i humbi 2 mijë euro gjatë vitit 2025, pasi që, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mundi të paraqitej me kohë në zyrat e pensioneve.
E kur u paraqit më vonë për të dëshmuar se është gjallë, ai e kuptoi se këto mjete as nuk do t’i kthehen.
“Ka ndodhur që nuk jemi lajmëruar me kohë, kemi qenë edhe të sëmurë, dhe nuk na ka shkuar ndërmend me u lajmëru. Kur kemi shkuar me u lajmëru, na kanë thënë: Jo, nuk jeni lajmëruar gjashtë muaj dhe iu ndalohen ato mjete për periudhën që nuk jeni lajmëruar. Tash merre me mend, në Parlament nuk shkojnë gjashtë muaj për me u lajmëru dhe marrin rroga, e pensionistëve ua marrin mjetet, i sanksionojnë”, ka treguar Maloku.
Maloku ka thënë se veçse ka bërë ankesë në Zyrën e Pensioneve, ndërsa paralajmëroi që, në rast se çështja nuk zgjidhet, do ta çojë rastin në Gjykatë.
“Tash kam bërë ankesë aty në Ent, e nëse jo, duhet në Gjykatë me e çu lëndën. Nuk e di tash a është Gjykata Supreme më vendimmarrëse sesa këta... Ka shkuar një person është ankuar në Gjykatë dhe Gjykata ka marrë vendim se është i paligjshëm ai vendim për me ua sanksionuar mjetet”, ka thënë ai.
Me probleme të ngjashme janë përballur edhe pensionistë të tjerë që nuk janë paraqitur me kohë, për arsye të ndryshme.
“Ka shumë shembuj që kanë shkuar burrë e grua jashtë.... kur kanë shkuar atje janë vonuar, ose është sëmurë fëmija ose janë sëmurë vetë dhe janë tejkaluar mbi tre muaj. Ato pare kanë mbetë, shteti nuk ua ka kthyer kurrë. Nuk ka përgjegjësi pse ka ndodh ajo, duhet të japë dikush llogari. Fatkeqësi e madhe shtetërore është që me i marrë të mjerit ato pensione”, ka deklaruar Sherif Kastrati, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka theksuar se Ligji për Skemat Pensionale nuk e konsideron mosparaqitjen si shkak për ndërprerjen e pensionit, por vetëm për suspendimin e përkohshëm të tij.
“Në aspektin juridik, ndërprerja e pensionit, si masë përfundimtare e paraparë me ligj, nuk është e njëjtë me suspendim të përkohshëm, i cili ka karakter kalimtar dhe nuk e shuan të drejtën e fituar”, ka thënë Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në Institucionin e Avokatit të Popullit.
Sipas këtij institucioni, pensionistët duhet ta marrin pensionin e pezulluar sapo të kalojnë arsyet e suspendimit, dhe pagesa duhet të bëhet në mënyrë retroaktive.
“Avokati i Popullit vlerëson se suspendimi nga pagesa e pensionit për shkak të mosparaqitjes duhet të paguhet në tërësi dhe në mënyrë retroaktive, nga momenti i suspendimit, sapo të pushojnë arsyet që kanë çuar në suspendimin e pagesës. Në anën tjetër, Ligji për Skemat Pensionale e obligon Ministrinë që të ndërmarrë veprime aktive për monitorimin e burimeve ekzistuese të informatave, me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur dhe se Avokati i Popullit vlerëson se kjo barrë nuk do të duhej të bartej në mënyrë disproporcionale mbi vetë pensionistët”, ka shtuar Çollaku.
E avokati Zahir Hamza ka thënë se me konfiskimin e pensioneve, Ministria e Financave bën shkelje drastike të të drejtave sociale, të garantuara me ligj e Kushtetutë. Për këtë ai thotë se ka iniciuar disa raste në Gjykatën Administrative.
“Çdo pensionist, nëse i mohohet kjo e drejtë, fillimisht mund të parashtrojë ankesë administrative në Ministrinë përkatëse lidhur me ndërprerjen apo mohimin e kësaj të drejte, po ashtu është konflikti administrativ në Gjykatën Themelore në qoftë se vjen puna deri aty dhe kompensim të dëmit, pjesa e cila nuk i është kompensuar një pensionisti. Këto mjete janë të destinuara ekskluzivisht për pensionistët, jo t’i mohohet një e drejtë, ku për gjashtë muaj p.sh. këto mjete ku derdhen, ku janë”, ka thënë Hamza.
Sipas Hamzës, ka raste kur pensionistët fituan raste, porse edhe pas vendimit gjyqësor, Ministria nuk ua ktheu mjetet.