Jakaj në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se Ministria e Financave, jashtëligjshëm po i mban këto të holla.
“Departamenti i Pensioneve do të duhej që në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme menjëherë të kthejë të drejtën e pensioneve, respektivisht pagesës së pensioneve për kohën që u janë ndalur. Pas marrjes së këtij aktgjykimi ta interpretojë veç e veç dhe të mos vije puna që secili pensionist të angazhojë avokat. Me këtë rast këto para po mbahen në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Financave, konkretisht Departamenti i Pensioneve. Nuk ka asnjë normë ligjore për këtë. E drejta e pronës është e mbrojtur me Kushtetutë, me konventën e rregulluar për të drejtën e njeriut”, ka thënë Jakaj.
Sipas Jakajt “në rastet kur nuk kthehen mjetet e pensioneve do të duhej të shkohet me ankesa të cilat do të kenë edhe koste financiare edhe fizike”.
425 pensionistë paraqitën ankesa në Ministrinë e Financave vitin e kaluar për shkak të humbjes së pensionit, si pasojë e moslajmërimit në Zyra Pensionale brenda nëntë muajsh.
Në Ligjin për Skemat Pensionale parashihet se mosparaqitja çdo gjashtë muaj nuk përbën shkak për ndërprerjen e pensionit, por vetëm suspendimin e përkohshëm. Aty, ndërprerja përfshihet vetëm në raste të vdekjes, fitimit të një shtetësie tjetër apo në rastet kur vlerësohet se përfituesi ka bërë mashtrim gjatë procesit dhe pastaj janë edhe tre muaj të tjerë kohë për t'u lajmëruar. Por, ky nen që parashihte një gjë të tillë në Udhëzimin Administrativ të vitit 2015, u rrëzua nga Gjykata Supreme.