Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që kompensimet e dëmeve nga sigurimi nuk i nënshtrohen Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Me aktgjykimin e saj të publikuar të mërkurën, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme, duke i shfuqizuar, disa dispozita të Udhëzimit Administrativ për zbatimin e Ligjit për TVSH-në, të cilat parashihnin detyrimin për llogaritjen e TVSH-së mbi kompensimet e përfituara nga sigurimi në rastet e dëmeve në pasuri.
Vendimi është marrë pas një konflikti administrativ ndërmjet kompanisë Ipko Telecommunications dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke e aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e Ipkos.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRasti ndërlidhet me një zjarr aksidental që kishte ndodhur më 3 korrik 2025 në një depo të Ipkos në Zonën Industriale në Prishtinë, ku ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra, asete dhe në objektin e kompanisë.
“Pasuritë kishin qenë të siguruara në kompaninë e sigurimeve Triglav d.d., dhe kompania pritej të përfitonte kompensim për dëmet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas pretendimeve të paditësit, nëse do të zbatohej udhëzimi administrativ, kompensimi nga sigurimi do të tatohej me TVSH, gjë që sipas tyre ishte e kundërligjshme. Gjykata Supreme në arsyetimin e saj vlerësoi se këto dispozita nënligjore krijonin një bazë të re tatimore që nuk ishte e paraparë me ligj dhe për këtë arsye tejkalonin kompetencat e organit që i kishte nxjerrë.
Sipas Gjykatës, Ligji për TVSH-në përcakton qartë se objekt i tatimit janë vetëm furnizimet e mallrave dhe shërbimeve kundrejt pagesës, ndërsa kompensimet e dëmeve nga sigurimi nuk përbëjnë furnizim ekonomik, por kanë karakter kompensues dhe synojnë rivendosjen e gjendjes së mëparshme.
Gjykata Supreme theksoi se aktet nënligjore nuk mund të krijojnë detyrime të reja tatimore që nuk janë të përcaktuara me ligj dhe se dispozitat e kontestuara ishin në kundërshtim me parimet themelore të sistemit të TVSH-së, përfshirë parimin e ligjshmërisë, hierarkisë së normave juridike dhe neutralitetit tatimor.
Po ashtu, Gjykata u mbështet edhe në standarde ndërkombëtare dhe praktikën gjyqësore evropiane, duke theksuar se pagesat me natyrë kompensuese, si dëmshpërblimet nga sigurimi, nuk mund të konsiderohen si kundërvlerë për një furnizim dhe rrjedhimisht nuk i nënshtrohen TVSH-së.