Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur në takim Ambasadorin suedez në Kosovë, Henrik Nilsson, i cili ishte i shoqëruar nga stafi i ambasadës që përcjellin projektet e financuara nga Suedia.
Reshitaj, pasi prezantoi prioritetet dhe veprimet e sajë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, falënderoi shtetin suedez për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës, e në veçanti në fushën e mjedisit, me ç‘rast vlerësoi se Suedia është një shembull shumë i mirë për t’u ndjekur sa i përket çështjes së mjedisit dhe zgjidhjes së problemeve mjedisore.
Ministrja po ashtu shfaqi shqetësimin e saj meqë nuk ka informata për burimet ujore që ka Kosova që nga viti 1984 dhe se është e interesuar që të fillojë me hulumtime për të vrojtuar situatën aktuale të kapaciteteve ujore që ka Kosova.
Nga ana tjetër, Ambasadori Nilsson theksoi bashkëpunimin e mirë afatgjatë që ekziston mes Suedisë dhe MMPH-së.
“Mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë fushë e një rëndësie të veçantë dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar është kyç për arritjen e suksesit”, tha Nilsson.
Më tutje ai përmendi mbrojtjen e mjedisit si një fushë shumë të rëndësishme për integrimet evropiane të Kosovës. Ambasadori theksoi poashtu se në mënyrë që të adresohen çështjet mjedisore, është e rëndësishme që të përfshihet popullata lokale nga të gjitha komunitetet lokale.
“Për Qeverinë suedeze mbrojtja e mjedisit dhe ndryshimet klimatike janë prioritet i lartë”, theksoi ai.
Suedia është duke punuar në procesin e një bashkëpunimi të ri katër vjeçar të mbështetjes institucionale mes Agjencionit Suedez për Mbrojtje të Mjedisit dhe Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës, e planifikuar të fillojë vitin tjetër.