Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Studentët e Universitetit të Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore, kanë protestuar të hënën në Shkup. Ata janë ankuar se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

PDK mbështet protestën e studentëve në Shkup: E drejtë që s’duhet të cënohet

1 muaj më parë / 6 pri 2026 20:59
Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se solidarizohet me kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë protestuar sot për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale, përkatësisht për provimin e jurisprudencës.

Në një komunikatë për media, PDK-ja ka vlerësuar se e drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është e garantuar me kornizën ligjore dhe kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Sipas tyre, cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar.

“Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse atje që t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat e studentëve shqiptarë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e plotë të të drejtave të garantuara me ligj. PDK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

OVL-UÇK përkrah protestën në Shkup: Mbrojtje e një të drejte të panegociueshme

1 muaj më parë / 6 pri 2026 20:13
shkup

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur mbështetje të plotë për studentët shqiptarë që po protestojnë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar çështjen e përdorimit të gjuhës amtare si një të drejtë të panegociueshme.

“OVL UÇK qëndron vendosmërisht pas studentëve shqiptarë që po protestojnë në Maqedoninë e Veriut, për mbrojtjen e një të drejte të panegociueshme. Përdorimi i ligjshëm i gjuhës amtare nuk i nënshtrohet kurrë përshtatshmërisë së qeverive. Kur një shtet refuzon të zbatojë garancitë ligjore të vendosura, dështimi shkon përtej procedurës. Një mosveprim i tillë sulmon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor, bashkë me paqen e brishtë që ai shtet pretendon se e mbron.

Historikisht, shqiptarët nuk e kanë shtypur kurrë gjuhën e popullsive fqinje. Nuk kërkojmë të fshijmë identitetin e asnjë kombi, as të poshtërojmë bashkësitë që jetojnë pranë nesh. Megjithatë, gjuha jonë vazhdon të përballet me kufizime dhe status dytësor, në territore që janë historikisht shqiptare.

Dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare përfaqëson detyrimin minimal të autoriteteve maqedonase dhe të aleatëve të tyre politikë shqiptarë. Këta të rinj kanë të drejtë që rezistojnë dhe meritojnë mbështetje të pakushtëzuar, jo zëra kujdesi e maturie. Dinjiteti shqiptar as nuk do të administrohet e as nuk do të zhduket”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

VLEN: Protesta e studentëve flet për dështimin e atyre që me vite kishin pushtetin

1 muaj më parë / 6 pri 2026 18:28
vlen

Pas protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut me kërkesën që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe Partia VLEN ka deklaruar se kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje.

VLEN në reagim ashtu thekson se BDI-ja sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë.

“Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin”, thuhet në reagimin e partisë VLEN.

BDI pas protestës së studentëve: Politikë e organizuar për dobësimin e gjuhës shqipe në institucione

1 muaj më parë / 6 pri 2026 18:26
bujar osmani

Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, pas protestës së studentëve shqiptarë në Shkup me kërkesën që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe, akuzoi për një politikë të qëllimshme dhe të organizuar për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

Osmani në rrjete sociale risolli në vëmendje procesin e miratimit të Ligjit për Gjuhët, të cilin e cilësoi si të shoqëruar me tensione të mëdha politike, duke shtuar se deputetët e VMRO-DPMNE kishin tentuar fizikisht të pengonin votimin në Parlament, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruajë ligjin, duke detyruar rikthimin e tij për rivotim.

“E njëjta parti kishte kontestuar ligjin edhe në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut gjatë kohës kur ishte në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet, siç thotë ai, ka ndikuar në këtë institucion për ta mbyllur çështjen”, tha Osmani, duke kritikuar ndërhyrje institucionale që dobësojnë zbatimin e ligjit dhe duke përmendur heqjen e pavarësisë së Inspektoratit dhe reduktimin e rolit të Agjencisë për gjuhët.

Osmani akuzoi gjithashtu për ndryshime në identitetin vizual të institucioneve dhe për largimin gradual të gjuhës shqipe nga dokumentet zyrtare, tabelat dhe përdorimi institucional.

Njëherësh, paralajmëroi për përgatitjen e një narrative që synon ndryshimin e dispozitave kyçe të ligjit, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të një politike të planifikuar.

Hoxha për protestën e studentëve në Shkup: Çështje që kërkon trajtim të përgjegjshëm

1 muaj më parë / 6 pri 2026 18:24
shkup

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha i ka quajtur të drejta kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe.

Në një postim në “X” ka thënë se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë.

“Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, ka shkruar ai.

“Respekto Ligjin për gjuhët”, studentët shqiptarë në Shkup kërkojnë të drejta

1 muaj më parë / 6 pri 2026 13:47
shkup

Foto: Furkan Saliu / Facebook

Me flamuj shqiptarë si dhe me pankarta që shkruanin "Ndal diskriminimit institucional", studentët kanë protestuar në Maqedoninë e Veriut të hënën, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.

Pjesëmarrësit kanë mbajtur fjalime, ku ndër tjerash është thënë se “ligji për gjuhët është i qartë” derisa u kanë kërkuar institucioneve që ta respektojnë. 

"Mos e prekni Ligjin për Gjuhët!" ishte një nga mesazhet e protestës, i ndjekur nga brohoritje për llogaridhënie dhe dorëheqje.

Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje studentëve dhe pjesëmarrësve të mos lejojnë veten, siç e tha ai, "të jenë një mjet në duart e një partie politike opozitare", duke shtuar se Qeveria tashmë ka formuar një grup ekspertësh kushtetues që po punojnë për të gjetur një zgjidhje.

Kjo çështje ka tërhequr vëmendje të shtuar së fundmi, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre universitetet përkatëse kanë firmosur një peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore. /Skopje1.

 

Spiropali mbështet protestën e studentëve në Shkup për gjuhën shqipe: E drejtë themelore, jo kompromis

1 muaj më parë / 6 pri 2026 11:10
Elisa Spiropali

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbështetur studentët shqiptarë që po protestojnë në mbrojtje të gjuhës shqipe të hënën në Shkup, duke e cilësuar si sinjal të qartë se zbatimi i të drejtave themelore kërkon më shumë vëmendje dhe reflektim institucional.

Spiropali në një postim në Facebook ka theksuar se protesta nuk është thjesht alarm, por është tregues se “diçka thelbësore nuk po funksionon siç duhet”. 

“Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi, kompromisi apo temë për interpretim të paqartë institucional. Është një e drejtë themelore”, u shpreh Spiropali, duke shtuar se të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por të jetohen në përditshmëri.

Ajo e cilësoi protestën e studentëve si thirrje për forcimin e standardeve dhe garantimin e barazisë, duke theksuar se një shtet që respekton gjuhën, ndërton besim dhe stabilitet për qytetarët e tij.

“Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë. Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim”, ka shkruar Spiropali në Facebook.

Të hënën është organizuar protestë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut nga ora 12:30. Studentët shqiptarë protestojnë për gjuhën shqipe.