Disa studentë të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës me kërkesën e vetme që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
“Stop Izolimi”, “Kosova pikë e zezë në Evropë”, “Votojeni demarkacionin”, “Nuk kam pasaportë shqiptare”, ishin vetëm disa nga kërkesat e studentëve drejtuar deputetëve të Kosovës.
Përveç parullave, studentët kishin veshur edhe fanella me ngjyrë të portokalltë, e cila simbolizon të burgosurit.
Valentin Beiqi, njëra nga organizatorët e protestës, kërkoi që deputetët e Kosovës të marrin vendime në interes të qytetarëve.
“Protesta nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë parti politike apo me ndonjë subjekt politik, në fakt mbështetje është pritur të jetë sa më e madhe, ne nuk kemi me u ndal këtu, ne do të bëjmë edhe protesta tjera po mendoj që mesazhi jonë u dërgua te qeveritarët tanë, te deputetët e Kosovës. Përfaqësuesit tanë duhet me marrë një vendim në interes të qytetarëve të vetë, e interesi jonë është lëvizja e lirë dhe stop izolimit të vendit, votojeni demarkacionin”, tha ai, raporton KP.
Studenti Arbër Rama tha se me këtë protestë po e kundërshtojnë izolimin që po i bëhet Kosovës.
Ai duke e konsideruar banale mos ratifikimin e demarkacionit kërkoi nga deputetët e Kosovës që fatin e liberalizimit të vizave të mos e lënë në duart e Listës Serbe.
“Është absurde, është banale, është tragjike për një rini që e ka Kosova sot me qenë të izoluar me prit për termine nëpër ambasada të stërgjata, të cilat janë shtatë tetë muaj. Humbja e bursave që i kemi fituar nëpër kolegjet ndryshme nëpër Evropë, këto janë thjesht diskriminim i shoqërisë kosovare për interesa të ngushta, interesa banale politike. Sot një arsye tjetër është që me iu kërkua deputetëve shqiptar me e votua demarkacionin me Malin e Zi, mos e leni në dorën e një liste e cila është e dirigjuar nga dora e Beogradit fatin e demarkacionit me Malin e Zi, atyre iu konvenon shtyrja e secilës seancë, por neve nuk na konvenon”, tha ai.
Fatmir Muqollu, i cili kishte ardhur enkas nga Gjermania për ta ngritur zërin pro demarkacionit, kërkoi që të zgjidhen problemet dhe të mos mbahen peng qytetarët.
“Kam ardhur nga Gjermania për ta përkrahur Qeverinë e Kosovës dhe popullin shqiptar të kontribuoj në zgjidhjen e bllokadave që po e mbajnë peng popullin shqiptar”, tha Muqolli
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar ka dështuar që ta votojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.