Sot në mesditë, një grup i studentëve e profesorëve, para Bibliotekës Kombëtare, kanë vendosur një baner, me të cilin i bëhet thirrje Gjykatës së Apelit, që do të mbajë seancën me 22 shkurt për 4 aktivistët e Vetëvendosjes, Adea Batushën, Egzon Halitin, Atdhe Arifin dhe Frashër Krasniqin të lirojë ata.
Në aktivitet u prononcuan studentja Arlinda Gashi, dhe profesori në fakultetin e Arkitekturës, Egzon Bajraktari.
Gashi ndër të tjera tha “Gjykimi ndaj katër aktivistëve nuk është vetëm gjykim ndaj tyre por është i të gjithë neve si shoqëri. Nuk është veç çështje e tyre si individë, as veç e një subjekti politik, këtë rast Vetëvendosjes, por e çdo qytetari në Republikën e Kosovës”.
Studentja u bëri thirrje edhe organizatave tjera studentore, atyre jo-qeveritare, e nismave qytetare që të reagojnë e të dalin në mbrojtje të, siç tha ajo, studentëve aktivistë. “Sot është momenti i fundit kur organizatat studentore, nismat qytetare, organizata jo qeveritare do të duhej të reagonin në mbrojtje të studentit e qytetarit të Republikës së Kosovës. Ne si qytetarë, si studentë, si njerëz konsiderojmë se e kemi për obligim të reagojmë deri në vendosjen e një sistemi të drejtë. Jemi këtu që të kërkojmë drejtësi e liri për studentët”, tha ajo.
Ndërkaq profesori Egzon Bajraktari tha: “Në emër të profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët nuk pajtohen me dënimin e studentëve tanë jemi mbledhur këtu që të shprehim mospranimin tonë me vendimin e gjykatës për dënimin e tyre, dhe i bëjmë thirrje gjyqësorit që të anulojë këtë vendim të padrejtë”.
“Ka vend edhe për revoltë e protestë. Kështu që edhe në rastin hipotetik kur studentët tanë mund të shprehin revoltën e tyre shteti dhe gjyqësori ynë, do duhej të tregonte aftësi që ta pranojë e ta paqetojë atë revoltë, e të mos e shkelmojë rininë me dënime të pajustifikuara e drakonike”, shtoi ai.
Baneri kishte edhe zinxhirë për të simbolizuar shkeljen e cungimin e lirisë, që, sipas organizatorëve, po u bëhet studentëve.
Edhe
Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-aktivistëve të VV-së për sulmin ndaj Kuvendit
Ky aktivitet ishte kurorëzim i disa aktiviteteve radhazi të studentëve gjatë ditës së djeshme, ku në shumë vende u vendosën banere me kërkesën për “Lirimin e Studentëve”. Këta posterë u vendosën në fakultetet e Arkitekturës, Bujqësisë, Muzikës, Juridikut, në Konvikte, e në Qendrat Studentore.
Kujtojmë se katër aktivistët e VV-së, të dyshuar për sulmin në Kuvend, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha janë shpallur fajtorë më 17 nëntor të vitit të kaluar.
Deputeti Frashër Krasniqi ka marrë dënimin më të madh. Ai është dënuar me 8 vjet burgim. Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e 5 muaj dhe Adea Batusha me dy vjet heqje lirie.