Drejtoresha në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha-Stublla, ka thënë se në muajt e ardhshëm nuk pritet të ketë progres në dialogun mes Kosovës e Serbisë, duke theksuar se masat e Bashkimit Evropian janë të padrejta.
Ajo ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se masat e BE-së ndaj Kosovës tregojnë se presioni ushtrohet ndaj palës më të dobët. Ndërsa, sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është në avantazh.
“Kosova ka dalë publikisht dhe ka thënë se është e pranueshme (marrëveshja) për të sfiduar kryesisht Vuçiqin nëse i njëjti do të pranonte të nënshkruante. Topi do të duhej të ishte te Vuçiqi e BE-ja të tregojë se ka qasje të barabartë. Serbia përkundër përgatitjes për sulmin në Banjskë, që është pjesë e atij akti, e sot s’ka asnjë sanksionim...Vuçiqi e ka një avantazh pasi është në fushatë zgjedhore, e kjo besoj se do të shtyjë. S’mund të konsiderohet se mund të ketë takim të nivelit të lartë në dhjetor e janar, e për 2-3 muaj s’do të ketë progres real, e për nënshkrim mbetet të shihet”, ka thënë ajo.
Ajo ka potencuar se garanci për Kosovën për rolin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është qëndrimi i ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, që ky institucion s’do të ketë kompetenca ekzekutive.