Duke u përballur me protesta politike të vazhdueshme në vend, presidenti i Serbisë po ecën në një litar të vendosur gjeopolitik – duke joshur Pekinin dhe Moskën, teksa sfidon Brukselin
Shkrim në revistën “The Parliament”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po shtegton mbi valë shumë polare, duke çuar përpara bisedimet për pranim në Bashkimin Evropian, teksa përafron lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë dhe Kinën.
Serbia është në mesin e dhjetë shteteve që po negociojnë për pranim në BE. Procesi ka nisur më 2014. Për Vuçiqin, pranimi premton fonde, qasje në treg dhe legjitimitet – por edhe mbrojtje të reformave dhe zgjidhje të çështjes së Kosovës.
Publikisht, Vuçiqi ka mbajtur një qëndrim pro-evropian, duke e përcaktuar pranimin në BE si qëllim kombëtar. E në praktikë, ai po thellon lidhjet me fuqitë botërore rivale: Kina po ndërton autostradat e Serbisë dhe Rusia po e furnizon me energji. Brukseli vazhdon t’i ofrojë legjitimitet, pavarësisht ecjes së ngadalshme në reforma. Balancimi i tyre ia ka mundësuar Vuçiqit të shihet si reformues dhe autoritar në rajon.
Aftësia e tij për të ecur në një litar të ngushtë në mes të Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, është në veçanti, rezultat i ngecjes së procesit të zgjerimit në Bruksel, duke zvogëluar ndikimin e tij. Ndërkohë Serbia vazhdon të shënojë rënie në indeksin për lirinë e mediave dhe të drejtat demokratike. Kjo i ka dhënë Vuçiqit hapësirë të merret me fuqitë rivale, ndërkohë që bën premtime boshe për integrim në BE.
“Ai po përpiqet t’ia dalë disi dhe të arrijë disa përfitime taktike, afatshkurtra”, ka thënë Filip Ejdus, profesor i studimeve të sigurisë në Universitetin e Beogradit për “The Parliament”. “Kjo bazohet në idenë që në një kohë kur polarizimet po rriten, ka më shumë kuptim të mbrohesh nga rreziqet sesa të rreshtohesh me një nga fuqitë e mëdha”.
Gjatë vizitës në Serbi më 22 maj, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, i ka thënë Vuçiqit se “nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim”, duke shtuar se “hapat e ardhshëm përfshijnë lirinë e medias, luftimin e korrupsionit dhe reformat zgjedhore”. Më herët gjatë muajit, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e ka quajtur pranimin e Serbisë “proces të ndërtimit të besimit” dhe ka kërkuar reforma të shpejta për të hapur kapitullin e ardhshëm të negocimit.
Pavarësisht këtij inkurajimi diplomatik, rruga e Serbisë drejt pranimit ka ngecur. Përderisa ka hapur zyrtarisht 22 nga 35 kapitujt e reformave, që nga nisja e negocimit më 2012, deri tash i ka mbyllur vetëm dy. Me reformat demokratike që duket se kanë ngecur, Vuçiqi po ashtu vazhdon të rezistojë përputhjen me politikën e jashtme të BE-së, sidomos për Ukrainën.
Strategjia e Vuçiqit i ka siguruar pikë në shtëpi, në mesin e ekstremistëve të krahut të djathtë dhe te nacionalistët. Por protestat e studentëve vazhdojnë të tendosin shtetin. Ata kanë protestuar kundër korrupsionit qeveritar, pas vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe në një stacion treni në qytetin e Novi-Sadit nëntorin e shkuar.
Teksa fuqitë botërore po luftojnë për ndikim në Ballkanin Perëndimor, Serbia është kthyer në test për BE-në, për ndikimin e saj në rajon. Por pa pasoja për ngecjen demokratike, autokratët marrin guxim dhe kufijtë e ndikimit gjeopolitik të Brukselit dalin në pah.
Zvogëlimi i ndikimit të BE-së në Beograd
Përderisa Serbia balancon fuqitë e ndryshme gjeopolitike, ajo vazhdon të legjitimohet nga liderët e BE-së – që e kanë përqafuar Vuçiqin si aleat, duke iu referuar si “misionar demokratik” i Serbisë dhe duke thënë se BE-ja nuk mund të ekzistojë si e plotë pa Serbinë brenda.
Në letër, Serbia është më afër pranimit në BE tani sesa që ka qenë në të kaluarën. Por në realitet, ajo vazhdon të lëvizë larg standardeve dhe rregullave të BE-së. Blloku po ashtu po përballet me një seri të sfidave ekzistenciale, përfshirë rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, luftën e Rusisë në Ukrainë – fillimisht katalizator për agjendën e zgjerimit – dhe rrëshqitjen në sundim të ligjit, mes shteteve anëtare.
“BE-ja është në krizë të veten ... dhe prandaj BE-ja nuk është në gjendje të flasë njëzëshëm në shumë çështje problematike dhe politika”, ka thënë Marko Kmezic, hulumtues në Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit për “The Parliament”.
Kur bëhet fjalë për Ukrainën, Beogradi ka eksportuar municion në Kiev përmes palëve të treta, por Vuçiqi nuk e ka dënuar pushtimin nga Rusia – madje ka shkuar aq larg sa ka shkuar në Moskë për të festuar “Ditën e Fitores” krah presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në fillim të majit.
“Çfarë bëri ai me paradën e Putinit ... Mendoj se është test për BE-në”, ka thënë Radomir Lazaviq, bashkëkryetar i partisë ZLF në Serbi. “Nëse ai mund t’i bëjë këto gjëra dhe të jetë ende kampion i tyre në integrimin evropian, siç ka thënë Ursula von der Leyen, mendoj se kjo flet shumë për hipokrizinë e Unionit”.
Përderisa Vuçiqi ka realizuar marrëveshje të dobishme për BE-në – si dërgimi i armëve për Ukrainën, nënshkrimi i marrëveshjes së litiumit me Gjermaninë dhe blerjen e aeroplanëve ushtarakë nga Franca – kjo nuk ia ka zbutur sjelljet prej autokrati apo përqafimin për Kremlinin.
“Ai po i bën të gjithë të lumtur dhe të kënaqur dhe kjo po ia mundëson njëfarë ndikimi kur bëhet fjalë për politikë. BE-ja nuk po sheh alternativë për regjimin e tij në Serbi”, ka thënë Kmezic.
Manovrimi diplomatik i Vuçiqit i ndihmon të ruajë kontrollin mbi pushtet teksa avancon prioritetet kyçe ekonomike të BE-së, sidomos rreth burimeve natyrore të Serbisë, siç ishte çështja e litiumit.
“Edhe për pro-evropianët, edhe ata u ndien të braktisur nga BE-ja”, ka thënë Edjus. Ish-kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe liderë të tjerë të BE-së “prioritizuan qëllimet e tyre strategjike në krahasim me mineralet e rralla dhe litiumin, industrinë e automobilave dhe konkurrencën me kinezët për automjetet elektrike, në vend të ‘problemeve të vogla’ me demokracinë serbe”, ka shtuar ai.
Loja Lindje – Perëndim
Vuçiqi ka histori të gjatë të të qenit pro-BE në letër. Kur Serbia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në vitin 2012, ai bëri një numër koncesionesh, por nuk ka pasur përparim në asnjërin prej tyre.
Ndërkohë, Vuçiqi ka thelluar raportet me Pekinin. Kina ka investuar më shumë se 10 miliardë dollarë në Serbi nëpërmjet iniciativave të ndryshme, me shumicën e mjeteve që shkuan për infrastrukturë si ura, ndërtesa e transport.
Kina forcoi praninë në Beograd gjatë pandemisë së COVID-19 duke dërguar ekspertë dhe pajisje për mbrojtje personale për të ndihmuar Serbinë në përballje. Atë kohë, Vuçiqi ka thënë se “solidariteti evropian nuk ekziston” dhe se “Serbia tani ka kthyer sytë kah Kina”.
“COVID-i ishte, mendoj, pika kthesë kur kinezët erdhën njëmend në rajon si një nga lojtarët kyç”, ka thënë Edjus.
Tjetër lojtare e madhe është Rusia, lidhjet e energjisë të së cilës në rajon datojnë para Vuçiqit. Në vitin 2008, Serbia shiti 51 për qind të kompanisë së saj të naftës dhe gazit NIS te Gazpromi rus për 400 milionë euro dhe 550 milionë në formë të investimeve të premtuara. Më vonë Gazpromi rriti praninë në 56.5 për qind të aksioneve.
Megjithatë, roli i Rusisë në Serbi shtrihet përtej investimeve ekonomike. Ajo mbetet aleate e rëndësishme politike dhe e inteligjencës, sidomos në mbrojtjen e Beogradit nga presioni ndërkombëtar mbi Kosovën. Serbia vazhdon ta refuzojë shtetësinë e Kosovës dhe mbështetet shumë në fuqinë e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Kjo ka forcuar ngurrimin e Serbisë për t’u lidhur plotësisht me Perëndimin në çështjet kryesore gjeopolitike. Mbështetja vjen me kosto të vogël për Rusinë dhe ia siguron asaj marrëveshjen e favorshme për energjinë – në këmbim. “Kjo është përse Serbia e pati shumë të vështirë të përafrohej me politikën e sigurisë së BE-së në sanksione sepse frikësohet se Rusia mund të ndalë veton në çështjen e Kosovës”, ka thënë Edjus.
Në të njëjtën kohë, Vuçiqi ka afruar edhe SHBA-në. Deri vonë, Beogradi po lëvizte përpara me planet e udhëhequra nga dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar një hotel luksoz 500 milionë dollarësh në mbetjet e dëmtuara të ish-Ministrisë së Mbrojtjes së Jugosllavisë, që ishte bombarduar nga NATO-ja më 1999.
Rritja e lëvizjes protestuese në Serbi
Në frontin e brendshëm, Vuçiqi është përballur me mospajtime në rritje për çështjet e ambientit, klientelizëm dhe mosfunksionim të shtetit. Që nga shembja e strehës në stacionin e Novi-Sadit, protestuesit kanë bërë thirrje kundër mashtrimeve endemike dhe kanë kërkuar më shumë transparencë nga qeveria.
Stacioni, së fundmi ishte rinovuar si pjesë e një rregullimi kinez që kishte nisur më 2021. Autoritetet lokale kishin thënë se është me standarde evropiane në korrik të 2024-s. Dokumentet kyçe të projektit janë klasifikuar.
Pasi ish-kryeministri Millosh Vuçeviq u dorëhoq gjatë protestave të janarit, një kabinet i ri u konfirmua në prill nën Djuro Macutin, aleat i Vuçiqit. Shumica e ministrave – 22 prej 30 – ishin në detyrë dhe roli i kryeministrit është ceremonial.
Për shumë protestues të rinj, ndryshimi ishte kozmetik dhe nuk iu përgjigj frustrimeve ndaj sistemit.
“Ne nuk po punojmë kundër Vuçiqit. Ky s’është qëllimi ynë. Nuk na intereson për të”, ka thënë Aleksandra, studente 23-vjeçare nga Universiteti i Novi-Sadit, që ka marrë pjesë në protesta që prej dhjetorit. “Duam që institucionet tona të punojnë dhe të mos punojnë përmes kukullave që vendosen për të udhëhequr. Të punojnë si institucione të pavarura, siç duhet”, ka shtuar ajo.
Studentët protestues kanë bërë thirrje për zgjedhje të hershme parlamentare, aktualisht të parapara për fillim të 2027-s.
Veljko, 23-vjeçar, që ndihmoi në organizimin e një proteste me biçikleta nga Beogradi në Strasburg ka thënë se shpreson që t’ua kenë dëshmuar njerëzve “se janë të gatshëm për të bërë ndryshime dhe u duhet përkrahje”.
Vuçiqi në disa raste ka fajësuar “aktorët perëndimorë” për protestat. Këtu ka përfshirë CIA-n dhe protestat i ka quajtur “revolucioni i ngjyrave”. Për audiencën perëndimore, ai ka dhënë sinjale të përfshirjes ruse.
Tani për tani, protestat nuk kanë treguar shenja dobësimi. Ajo që lindi nga zhgënjimi publik është kthyer në kërkesë për riorganizim institucional.
“Ne u kemi treguar njerëzve që regjimi nuk është i pamposhtshëm. Deri në tetor, ekzistonte një koncept i përbashkët se ata janë të pamposhtshëm dhe të pazëvendëshueshëm”, ka thënë Veljko. “Ne u kemi treguar se nuk është kështu dhe se edhe njerëzit e vegjël mund të ngrihen e të ngrenë zërin e tyre”.
“Parliament Magazine” është revistë për politikat e BE-së. E themeluar më 1995, ajo udhëhiqet nga një kompani britanike. Bazën e ka në Bruksel dhe publikohet në numra mujorë që nga shtatori i 2021-s.