Arbëri

S’priten vendime për marrëveshjet në takimet e reja në Bruksel

Pavarësisht paralajmërimeve për takime të reja mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, njohës të zhvillimeve nuk kanë shprehur pritje për ndonjë përparim të dukshëm. Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se në rrethanat ekzistuese nuk pret që të ketë takime në nivel të lartë politik, e sidomos jo vendime për implementim të marrëveshjeve të arritura deri më tash e që do të kërkonin vendime të rënda politike, të cilat në rastin e Kosovës lidhen edhe me Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Paralajmërimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për takime të tjera në nivel edhe trepalësh, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nuk pritet që të prodhojnë ndonjë rezultat, kanë thënë njohës të zhvillimeve politike.

Augustin Palokaj, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, ka thënë se nuk pret që të ketë takime të nivelit të lartë politik e as vendime për zbatim të marrëveshjeve të dakorduara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Javën që vjen priten takime në kuadër të dialogut e ndoshta edhe një takim trepalësh. Por, në rrethanat ekzistuese, nuk pres që të ketë takime në nivel të lartë politik, e sidomos jo vendime për implementim të marrëveshjeve të arritura deri më tash, që do të kërkonin vendime të rënda politike, që në rastin e Kosovës lidhen edhe me Asociacionin (e komunave me shumicë serbe)”, ka theksuar Palokaj.  

Ai ka përmendur edhe rrethanat në Kosovë, të cilat e pamundësojnë shënimin e ndonjë zhvillimi rreth dialogut.

“Duke pasur parasysh se Kosova së shpejti do të hyjë prapë në një cikël zgjedhor, për zgjedhjet lokale së paku, e në kohën kur nuk ka as Kuvend e as qeveri të re, atëherë vetvetiu paraqitet përgjigjja se nuk mund të pritet shumë në dialog, pa marrë parasysh interesimin e Bashkimit Evropian. BE-ja, ndërkaq, do të vazhdojë të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve, të cilat mund të zbatohen edhe me pajtim në nivel teknik, apo në nivel të kryenegociatorëve”, ka potencuar ai.  

Takimi i kësaj jave në nivel të kryenegociatorëve nuk ka prodhuar ndonjë rezultat dhe as nuk ka pasur diskutime trepalëshe.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka diskutuar për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ka shtuar se është duke u planifikuar që së shpejti të organizohet një takim trepalësh në kuadër të dialogut.

Pas takimit me Sorensenin, Bislimi ka theksuar se ka qenë i paraparë edhe një takim trepalësh, porse ai nuk ka ndodhur, për shkak të disa komplikimeve me udhëtim të delegacionit nga Serbia.

E, lidhur me qasjen e re të përmendur nga zyrtarë në BE, Bislimi ka thënë se janë ngritur një sërë temash, për të cilat mendohet se është me rëndësi që të kenë përgjigje, apo zgjidhje nga Brukseli zyrtar.

“E kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit, ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë, si në përmbushjen e obligimeve të tyre, p.sh., në tri pikat kufitare, që është dashur t’i ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona, që në Bujanoc e Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka udhëtarë, që kthehen nga diaspora, por edhe problemet që kemi me njohjen e certifikatave”, ka thënë ai.

Në takimet në Bruksel është diskutuar edhe për mbështetjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nëpërmjet ndihmave për fermerët e vegjël. Sipas Bislimit, Serbia ka bllokuar llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, teksa e ka kërkuar zbllokimin sa më të shpejtë të këtyre mjeteve.

E në palën serbe kanë insistuar vetëm në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe njëherësh kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën, ka thënë se në takim me emisarin Sorensen ka deklaruar që Asociacioni është temë kyç në dialogun për normalizimin e raporteve. Ai ka thënë se për Serbinë është “e papranueshme” që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, të përpiqet ta përfshijë temën për Preshevën dhe Bujanocin në proces.

“E dimë se tema e dialogut është çështja e Kosovës, pozicioni i popullit serb, formimi i Asociacionit dhe se çfarë mund të bëjmë për të arritur paqe e stabilitet në Kosovë nëpërmjet zgjidhjeve të kompromisit, që janë të nevojshme për jetesën e serbëve dhe të shqiptarëve”, pati thënë Petkoviq pas takimit me Sorensenin, në Bruksel.

E, emisari Sorensen ka bërë të ditur se me Petkoviqin ka diskutuar për një numër çështjesh rreth normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Vazhduam takimet bilaterale sot me kryenegociatorin serb në përgatitje të një takimi trilateral”, ka shkruar ai në “X”.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pati deklaruar gjatë vizitës së saj në Kosovë, të zhvilluar muajin e shkuar, se me emisarin Sorensen dhe me palët do të shtjellohen mënyrat se si dialogu të bëhet më produktiv.

E pyetur për mënyrat e reja që janë duke u shtjelluar, Kallasi ka thënë se për këtë çështje do të diskutohet ndaras me palët në Kosovë dhe në Serbi. Me gjithë letrën e Serbisë, adresuar BE-së, e në të cilën thuhet se Beogradi zyrtar nuk i zbaton pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Kallasi ka theksuar se marrëveshja është fakt dhe se duhet të zbatohet.

Mbështetje dialogut të lehtësuar nga Brukseli zyrtar i kanë ofruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përfshirjen e të cilës në këtë proces Kosova e ka kërkuar në vazhdimësi.

Të enjten, ish-diplomati amerikan, Philip Reeker, ka thënë se SHBA-ja nuk do të jetë e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, sikurse ka qenë në të shkuarën.

“Tridhjetë vjet më parë, pas Daytonit, Ballkani dominoi lajmet dhe ishte një pjesë kyçe e politikës së jashtme amerikane, por rajoni e konsideron veten shumë më të rëndësishëm nga ç’është në të vërtetë. Duhet të kuptohet se kjo është një pikë tranzicioni dhe se SHBA-ja nuk do të angazhohet drejtpërdrejt si në 30 vjetët e fundit”, ka thënë Reeker, gjatë një diskutimi në kuadër të forumit “Iniciativa Pupin”, të mbajtur në Beograd.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor mbetet një udhëkryq i rëndësishëm për sektorin e energjisë, por edhe një terren për fuqitë e tjera që përpiqen të përhapin ndikimin e tyre.