Në Gjykatën Speciale nuk e kanë bërë të ditur datën se kur do të jepet vendimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Por, në një publikim të saj është theksuar se çështja gjyqësore është në fazën e kuvendimeve
Ende nuk dihet se kur Gjykata Speciale me seli në Hagë do ta shpallë vendimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët janë të akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.
Në informimin javor për media, në këtë gjykatë kanë bërë të ditur se trupi gjykues gjendet në fazën e kuvendimeve për këtë çështje penale dhe se nxjerrja e aktgjykimit varet nga secila çështje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Rregullorja përcakton se Trupi Gjykues ka 90 ditë për të arritur një verdikt, por mund të shtyjë kuvendimet përtej 90 ditëve në rast se, për shkak të rrethanave, kërkohet më shumë kohë. Data e saktë e shpalljes së verdiktit në këtë çështje nuk dihet ende, por publiku do të njoftohet kur gjykatësit të caktojnë datën”, kanë thënë në Gjykatën Speciale.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Avokati Amer Alija ka thënë se pret që Specialja ta shpallë aktgjykimin brenda afatit të paraparë.
“Në parim, aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve, por në rastet kur çështja është e ndërlikuar dhe përfshin një numër të madh provash për t’u analizuar, trupi gjykues mund të kërkojë një shtyrje shtesë deri në 60 ditë. Besohet se trupi gjykues do ta shpallë aktgjykimin brenda afatit të paraparë”, ka theksuar ai.
Një ditë më parë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar një raport në të cilin është konstatuar se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar dhe është shprehur shqetësimi për “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizim të komunikimeve familjare dhe atyre profesionale me ekipet e mbrojtjes”.
Krahas tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, Thaçi ndodhet edhe në një proces tjetër gjyqësor, për çështjen kundër administrimit të drejtësisë. Për këtë proces janë planifikuar seanca gjyqësore në javët e ardhshme.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.