Prokuroria Speciale ka konfirmuar se është zhvilluar procedurë penale lidhur me pretendimet e subjektit goran “Zajeno”.
Ky subjekt kishte akuzuar rivalin tjetër goran “JGP”, Listën Serbe e strukturat paralele në Dragash për shantazh e presion për t’u tërhequr nga gara zgjedhore.
“Në lidhje me pyetjen për subjektin politik ‘’Koalicja Zajeno’’, në këtë fazë të procedurës ende nuk jemi të gatshëm të ndajmë informacione me publikun për shkak se një publikim i tillë mund ta pengojë apo dëmtojë procedurën penale. Prokurori i Shtetit do t’ju mbajë të informuar për këtë çështje në momentin që do të ketë informacione për t’i ndarë me publikun”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Specialja ka konfirmuar se vetëm një person është dënuar që nga viti 2021 për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
E përfaqësuesit e këtij subjekti kanë thënë se tre anëtarë të partisë kanë dhënë deklaratë në Prokurori duke denoncuar mbi 10 persona.
Por, sipas Fatir Berzatit, që është nënkryetar i “Zajenos”, përveç kërcënimit me vende pune në institucione arsimore e shëndetësore, kërcënime ka pasur edhe te goranët që varen nga skemat sociale e Serbisë.
“Mund të them me përgjegjësi të plotë që me qindra njerëz janë kërcënuar në mënyrë direkte e indirekte përmes telefonatave ose përmes kartelave, d.m.th. do të votosh për këtë kandidat ose do të kemi probleme kur të vish ta vërtetosh librezën shëndetësore ose ta marrësh një ndihmë nga komuna ilegale paralele”, ka pohuar Berzati.
Mësuesi Fehim Sali ishte kthyer në punë në një shkollë paralele pas raportimit të KOHËS për pretendimet e tij për kërcënime të shumta, ku e kishte lakuar edhe emrin e deputetes së Listës Serbe, Jasmina Dediq.
KOHA është përpjekur të kontaktojë me Adem Hoxhën e JGP-së e Jasmina Dediqin nga Lista Serbe, por nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës.
Kërcënimet, sipas përfaqësuesve të kësaj partie, kanë ndodhur tash e 8 vjet. E ndikimi i strukturave paralele të Serbisë që nga viti 2015 përmendet edhe në raporte të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Qeveria serbe vazhdoi t’i drejtonte disa struktura paralele ilegale qeveritare në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe ato gorane dhe në përfaqësuesit e tyre politikë”, thuhet në Raportin e Departamentit të Shtetit mbi praktikat e të drejtave të njeriut (2021).
Muajin e kaluar, ish-kryetari i Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, është dënuar me një vit burgim me kusht, 150 euro gjobë dhe ndalim ushtrimi të funksionit publik për një vit. Sipas aktakuzës së ngritur kundër tij, ai kishte keqpërdorur varësinë ekonomike të një punëtori të Komunës duke e shtyrë ta votonte Listën Serbe.